Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka bërë me dije se kurrë nuk ka udhëtuar jashtë vendit me para të shtetit.
Duke reaguar pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje, për të cilën pretendohet se ai ndodhej në Bazel të Zvicrës duke përdorur fonde shtetërore, ai ka mohuar një gjë të tillë.
Në profilin e tij në Facebook, Rama ka shkruar vizita në Zvicër ishte realizuar me ftesë private nga panairi ndërkombëtar i artit ArtBasel dhe se ai së bashku me bashkëshorten kishin mbuluar vetë të gjitha shpenzimet e udhëtimit dhe qëndrimit.
“Qenka shpërndarë një video ku dikush supozohet se më ka kapur duke pirë ujë në Bazel të Zvicrës me shpenzime shtetërore. Në gati tre dekada shërbim publik, nuk kam udhëtuar kurrë privatisht me fonde shtetërore, dhe e njëjta gjë vlen edhe për familjen time. Në 13 vjet si Kryeministër, unë dhe familja ime nuk kemi shkuar kurrë me pushime jashtë vendit. Në Zvicër, u ftova privatisht nga ArtBasel, panairi vjetor i galerive më prestigjioze të artit në botë, ku janë prezantuar edhe disa nga veprat e mia”, ka shkruar ai, duke dhënë detaje tjera.
“Unë dhe gruaja ime udhëtuam atje dhe qëndruam për një ditë e gjysmë, si gjithmonë në raste të tilla, tërësisht me shpenzimet tona. Por ky është një rast i mirë në kohën e duhur për të vënë një pikë të qartë mbi “i”: Rreth njëzet vjet më parë, kur balta e shpifjeve dhe akuzave të pabaza nuk më ishte ngjitur ende në lëkurë, dikur bëra një deklaratë publike duke thënë se “nuk ka bir nëne ose bir të një…, që mund të gjejë një qindarkë të vetme në xhepin tim që nuk është fituar me punë të ndershme” Sot, dy dekada më vonë, unë nuk jam më, sigurisht, ai 40-vjeçar i pamësuar me thelbin e baltosur të arenës politike, i cili do të humbiste gjumin për shkak të plagëve djegëse të shpifjeve dhe akuzave kriminale. Por e them me krenari, ajo fjali e shqiptuar atëherë nga dhimbja dhe ndjenja e turpit para popullit tim dhe të gjithë atyre që më kishin besuar të drejtoja Tiranën, qëndron 100% e paprekur në përmbajtjen e saj edhe sot, para të gjithë atyre që më kanë besuar të drejtoj Shqipërinë”, ka shkruar ai.
