Lajme

Rama nga Brukseli për projektin në Zvërnec: Procesi vijon, vendimi do të merret sipas standardeve europiane

Kryeministri Edi Rama ka reaguar nga Brukseli lidhur me projektin e planifikuar në zonën e Zvërnecit, duke deklaruar se procedurat nuk kanë përfunduar ende dhe se çdo hap po ndiqet në përputhje me rregullat në fuqi.

Rama ka hedhur poshtë shqetësimet për ndikimin e mundshëm mjedisor, duke theksuar se vlerësimi përfundimtar do të bazohet në standardet europiane dhe në të dhëna të verifikuara.

“Projekti nuk është finalizuar ende. Vlerësimi i ndikimit në mjedis është në proces dhe gjithçka po bëhet sipas rregullave që nga dita e parë”, u shpreh Rama.

Sipas kryeministrit, institucionet europiane, veçanërisht Komisioni Europian, janë referenca kryesore për garantimin e objektivitetit dhe respektimit të standardeve.

“Komisioni punon mbi bazën e fakteve, të dhënave dhe burimeve të verifikuara. Ne do të ndjekim vetëm standardet më të larta dhe do të bëjmë një projekt që do të jetë një vlerë për Shqipërinë dhe Europën”, deklaroi ai.

Rama theksoi se Shqipëria duhet të ecë përpara me projekte që janë në përputhje me parimet dhe kriteret e Bashkimit Europian, duke garantuar se çdo vendim do të merret pas përfundimit të të gjitha procedurave./topchannel

Të Ngjashme