Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka kritikuar ministren e Kulturës, Saranda Bogujevci, për projektin e Teatrit të Operës dhe Baletit.
Reagimi i tij erdhi pasi Bogujevci njoftoi se projekti është drejt finalizimit dhe se pas përfundimit të tij do të nisin procedurat e prokurimit për ndërtimin e objektit.
Rama ka vënë në pikëpyetje lokacionin e propozuar, duke pretenduar se në të njëjtën hapësirë institucionet qendrore po pengojnë realizimin e projektit komunal “Ishulli Urban”, me arsyetimin e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore.
“Tash nuk paska trashëgimi kulturore! Propozimi për Operën aty ku po e bllokojnë kryeqytetin në emër të trashëgimisë!”, ka shkruar Rama në Facebook.
Ai ka thënë se projekti “Ishulli Urban” synon të lidhë 30.000 banorë me qendrën e Prishtinës, ndërsa ka kritikuar Qeverinë për mungesë bashkëpunimi dhe koordinimi me Komunën.
Kryetari i Prishtinës ka shprehur dyshime edhe për realizimin e projektit të Operës, duke përmendur gjendjen e institucioneve kulturore.
“Teatri Kombëtar i Kosovës 5 vjet i mbyllur. Muzeu Kombëtar i Kosovës 5 vjet i mbyllur. E tash, propozim për Operën!”, ka shkruar ai.
Sipas Ramës, shqetësimi i tij nuk është përplasja e projekteve, por mundësia që qytetarët të mbeten pa objektin e Operës.
“Hallin e kam që qytetarët do të mbesin pa Operën”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Rama ka shprehur gatishmëri për bashkëpunim me institucionet qendrore, duke ofruar hapësirë dhe ekspertizë për realizimin e projektit.
Ndërkohë, ministrja Bogujevci ka njoftuar se projekti i Teatrit të Operës dhe Baletit, i hartuar nga studioja daneze BIG, nën drejtimin e arkitektit Bjarke Ingels, parasheh 4 salla për shfaqje dhe performanca artistike, hapësira për prova, edukim, konferenca dhe aktivitete publike.
“Projekti kryesor është drejt finalizimit dhe po avancon në përputhje me planin dinamik të paraparë”, ka shkruar Bogujevci.
Ajo ka bërë të ditur se procedurat e prokurimit për ndërtimin e objektit do të nisin pas përfundimit të projektit zbatues.
Përplasja për këtë hapësirë nuk është e re. Komuna e Prishtinës kishte ndarë në vitin 2022 lokacionin prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve për ndërtimin e Teatrit të Operës dhe Baletit. Më pas, projekti komunal “Ishulli Urban” u bë objekt mosmarrëveshjesh me Ministrinë e Kulturës dhe institucionet përgjegjëse për trashëgiminë kulturore.
Ministria kishte kundërshtuar nisjen e punimeve pa pëlqimet përkatëse, ndërsa Rama i kishte cilësuar veprimet e saj si pengesë për zhvillimin e kryeqytetit.
