Kryeministri Edi Rama ka prezantuar një sërë ndryshimesh që do të propozohen në Kodin e Procedurës Penale, që sipas tij do të sjellë një ekuilibër të drejtësisë, ku masa e arrestit me burg nuk mund të vendoset në një sërë rastesh, përfshirë ato kur vepra penale parashikon një dënim më të ulët se 5 vite burg. Rama tha gjatë daljës së tij, se nuk do të ketë masë arresti me burg dhe për prindërit që kanë fëmijë nën moshën 6 vjeç, për të cilët janë kujdestarë.
“Për vepra me dënim maksimal deri në 3 vjet nuk do caktohen më masa shtrënguese, për vepra nën 5 vjet s’do të caktohet më arrest me burg. Natyra e rëndë e veprës e marrë më vete, s’do mjaftojë më, as heshtja e personit, as mospranimi i akuzës, nuk mund të përdoren më si provë rrezikshmërie. Rreziku duhet të jetë konkret, aktual, dhe i mbështetur me fakte që lidhen me vet personin. Gjykata duhet të bëjë vlerësim të pavarur, dhe nëse kopjon argumentet e prokurorit, dhe nuk arsyeton pse masat më të buta s’mjaftojnë, vendimi bëhet i pavlefshëm. Sa herë caktohet arresti gjykata duhet të vlerësojë edhe garancinë pasurore, me përjashtim të veprave të rënda”, u shpreh ai.
Ndërkohë kryeministri, tha se avokatët do të kenë akses direkt dhe të pakushtëzuar në prova.
“Avokati s’mund të jetë dekor në sallë dhe spektator gjatë hetimit, duhet të ketë të drejtë të kryejë hetimet e veta, të marrë deklarime. Personi do të ketë akses të pakufizuar te provat që i është hequr liria, dhe do të marrë akses para se çështja të shkojë në gjyq. Prokurori do ketë detyrimin që të hetojë edhe rrethanat që e shfajësojnë personin, sepse s’ka si mision të gjejë patjetër një fajtor, por të gjejë të vërtetën. Nuk mund të thirret një person në dijeni dhe të trajtohet si i dyshuar, pa avokat”, vijoi Rama.
Rama theksoi gjithashtu se Shqipëria vijon të ketë një barrë të lartë të përdorimit të paraburgimit.
“Ndryshuam Kushtetutën dhe çlirimin e drejtësisë nga pushteti politik. Reforma në drejtësi e shëmbi ngrehinën e pushtetit. Sot pas 10 vjetësh kemi parë, dëgjuar dhe mësuar shumë. Kemi parë forcën e reformës, por dhe dobësitë që dolën nga përballja me realitetin. Barra e kthesës së madhe të reformës në drejtësi, ia ka vlejtur.
10 vjet shembën kultin 100-vjeçar të pandëshkueshmërisë. 10 vjet më parë ne i dorëzuam drejtësisë shpatën. Sot duhet të bëjmë një veprim më modest. Gjyqësori të mos bëjë pushtetin përpara drejtësisë. Kjo është ndërhyrja e parë që ndryshon prezumimin e pafajësisë. Nisja e diskutimeve konkrete për këtë paketë u ngrit nga mekanizmat europianë, për parandalimin e torturës. Edhe sot po të pyesësh, secili vend përmban barrë më të madhe të paraburgimeve, përgjigjja vjen më e hidhur, ‘Albania’”, tha Rama.
