Lajme

Rastet për “Pëlqim Mjedisor”, ministrja Pacolli merr një vendim të ri

Ministrja e Mjedisit, Fitore Pacolli, ka njoftuar  se ka marrë vendim për rikthimin në procedurë të të gjitha rasteve për Pëlqim Mjedisor, ku procesi i konsultimit publik nuk i ka përmbushur standardet ligjore.

“Qytetarët janë aleatët tanë më të rëndësishëm në mbrojtjen e mjedisit. Nuk mund të ketë vendimmarrje të drejtë për mjedisin pa zërin e qytetarëve. Prandaj, kemi marrë vendim që të rikthehen në procedurë të gjitha rastet për Pëlqim Mjedisor ku procesi i konsultimit publik nuk i ka përmbushur standardet ligjore”, ka thënë Pacolli..

Me këtë vendim:

-Rikthehen në procedurë lëndët ku Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis (VNM) nuk ka qenë i qasshëm për publikun ose nuk janë respektuar procedurat ligjore të konsultimit publik.

-Nuk do të jepet asnjë Pëlqim Mjedisor pa u zhvilluar një konsultim publik të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës me qytetarët.

-Pas përsëritjes së procedurës dhe sigurimit të qasjes në VNM, operatori ekonomik, përkatësisht përpiluesi i VNM-së, obligohet të zhvillojë forma shtesë të konsultimit publik përmes komunikimit fizik ose elektronik me përfaqësuesit e komunitetit, duke e dokumentuar këtë proces gjatë aplikimit ose riaplikimit për Pëlqim Mjedisor.

“Ky vendim forcon transparencën, rrit llogaridhënien dhe siguron që pjesëmarrja e qytetarëve të mos jetë vetëm një formalitet, por një element thelbësor i vendimmarrjes. Qytetarët do të jenë gjithmonë aleatët tanë kryesorë në mbrojtjen e mjedisit dhe partnerët më të rëndësishëm në ndërtimin e politikave tona”, ka thënë Pacolli.

Të Ngjashme