Mbi 70 pacientë janë paraqitur në Klinikën Infektive në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës që nga e premtja e 10 korrikut e deri të hënën e 13 korrikut (sot).
KosovaPress ka provuar të flasë me menaxherin e një nga pikave të ‘Sach Pizza’, ku dyshohet se u helmuan disa qytetarë, por i njëjti tha se nuk mund të jep deklaratë, pasi këtë duhet ta bëjë kompania.
Sipas QKUK-së, nga 72 pacientë, 22 prej tyre janë të hospitalizuar, ndërsa pacientët që kanë kërkua ndihmë mjekësore kanë pasur ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diarre, ku sipas anamnezës së marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit.
“Nga data 10.07.2026 deri më 13.07.2026, në Klinikën Infektive ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm. Pacientët kanë kërkuar ndihmë mjekësore me ankesa si ethe, temperaturë, dhimbje barku, të vjella dhe diare. Sipas anamnezës së marrë, simptomat janë shfaqur disa orë pas konsumimit të ushqimit. data 10.07.2026 deri më 13.07.2026, në Klinikën Infektive ndihmë mjekësore kanë kërkuar rreth 70 pacientë. Prej tyre, 22 pacientë janë hospitalizuar për trajtim të mëtejshëm. Të gjitha rastet e hospitalizuara janë raportuar në Inspektoratin Shëndetësor, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK), si dhe janë evidentuar në Sistemin e Mbikëqyrjes së Sëmundjeve Ngjitëse (SMSN), në përputhje me procedurat në fuqi”, thuhet në reagimin e QKUK-së.
KosovaPress gjatë ditës ka qëndruar në Klinikën Infektive, ku ka biseduar me familjarë të pacientëve, e të cilët thanë se ushqimet e konsumuara nga të helmuarit ishin sanduiç në lokalet e “Sach Pizza”.
Nëna e një djali në kushte anonime tha për KosovaPress se i biri ka konsumuar një sandviç dhe se prej atëherë, gjendja e tij ka qenë shumë e rëndë, ku sipas saj, temperatura e tij ka shkuar deri në 40.
“Gjendja sot është shumë më e mirë se dje. Ka qenë në gjendje shumë të rëndë, ka pasur temperaturë, ethe, barkqitje, është helmim, por sot është pak më mirë. Duke e pasur parasysh se kam folur edhe me pacientë të tjerë që janë të shtrirë, krejt e kanë hëngër ushqimin e njëjtë, në ‘Sach’. Ose kanë porositur ‘delivery’ ose kanë hëngër nëpër lokale të ‘Sachit’ në pika të ndryshme. Njëjtë i kanë pasur simptomat e helmimit, njëjtë edhe sot krejt kanë filluar të përmirësohen. Temperaturën e ka pasur 40, plogështi e tmerrshme, dhimbje e tmerrshme. Jemi duke pritur, policia e ka hapur rastin, sa dëgjova edhe prokuroria e ka marrë lëndën. Ne si familjarë jemi bërë bashkë krejt dhe do të procedojmë në gjykatë, të shohim çka merr masa gjykata”, tha ajo.
E, nëna e një vajze, e cila po ashtu pranoi që të japë prononcim në kushte anonimiteti tha se e bija të enjten ka hëngër sandviç te ‘Sach Pizza’.
Ajo u ankua edhe që ambulanca nuk i është përgjigjur pozitivisht për ta sjell deri në QKUK vajzën e saj.
Tutje tha se e bija deri në QKUK e pastaj në Klinikën Infektive ka shkuar pa vetëdije dhe se deri në spital e kanë çuar me burrin e vajzat e tjera.
“Vajza ime ka qenë shumë keq, të enjten ka hëngër tek ‘Sachi’. Si ka ardhur nga puna ka pasur barkqitje, të nesërmen në mëngjes ka qenë gjithë ditën me infuzione. Në 02:00 të natës e ka rrokë ngërçi edhe barkqitja. Ajo ka qenë e vdekur, nuk e di as si e kemi sjell në Emergjencë. Emergjencën e kemi thirr dy herë, na kanë thënë që nuk vijmë për barkqitje. I kemi thënë se i ka humbur vetëdija, nuk janë ardhë. Me burrin dhe vajzat e tjera e kemi sjell në Emergjencë dhe pastaj e kanë sjell në Infektivë. Sot është pak më mirë, por qe tri ditë ka qenë në gjendje shumë të keqe. Ka thënë se ka hëngër vetëm sandviç”, tha ajo.
Situatën e njëjtë e pati edhe një grua tjetër, ku i fejuari i saj, i cili s’pranoi ta tregoj identitetin, tha se bashkëshortja ka konsumuar sandviç te ‘Sachi’, teksa për kompaninë paralajmëroi masa ligjore.
Rasti i helmimit në Prishtinë – 70 persona kërkuan ndihmë në Infektivë, 22 të hospitalizuar
“Unë e kam të fejuarën këtu, të shtunën i ka pasur simptomat e para diku prej 03:50 të mëngjesit jemi këtu deri sot. Simptomat i ka barkqitje, marramendje, temperaturë. Ka hëngër në ‘Sach’ te aeroporti një sandviç. Mjekët po mundohen ta bëjnë maksimumin, por për ‘Sachin’ s’di çka të them, duhet gjithqysh të marrim ndonjë masë ligjore”, tha ai.
Po ashtu, KosovaPress ka marrë vesh nga burimet e veta se ‘Sach Pizza’ i ka larguar nga shitja nga të gjitha pikat e tyre sanduiçët dhe se të njëjtit kanë pasur inspektim në depon e tyre në Lipjan.
Gjatë ditës, në lidhje me këtë çështje, mediumi ka provuar të kontaktojë edhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinës, me Ministrinë e Shëndetësisë, ShSKUK dhe AUV-in, por të njëjtit nuk u janë përgjigjur thirrjeve.
