Ish-ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të autoriteteve serbe për t’i bërë nderime shtetërore ish-komandantit të Ushtrisë së Republika Srpska, Ratko Mlladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.
Mlladiq, i njohur edhe si “Kasapi i Bosnjës”, vdiq më 27 gusht në moshën 84-vjeçare, derisa po vuante dënimin në burgun e Tribunalit të Hagës.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Roth e ka kritikuar ashpër Serbinë për glorifikimin e Mlladiqit.
“Nuk e kisha menduar kurrë se do të shihja një kriminel lufte të dënuar, njeriun përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës, të merrte nderime shtetërore në Beograd. Kjo tregon se sa larg është Serbia nga pajtimi për të cilin Ballkani Perëndimor ka kaq shumë nevojë”, ka shkruar Roth.
Ai ka shprehur gjithashtu mirënjohje për qytetarët serbë që kanë dalë publikisht kundër nderimeve për ish-komandantin serb të Bosnjës.
Trupi i Mlladiqit u prit me nderime të larta ushtarake në Beograd më 3 shtator.
Ndërkohë, edhe Komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, ka anuluar vizitën e planifikuar në Serbi, duke e lidhur këtë vendim me zhvillimet dhe reagimet pas glorifikimit të Mlladiqit nga autoritetet serbe./teve1.info/
