Deputeti i PDK-së, Eman Rrahmani, e ka cilësuar si të padrejtë vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë protestës para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, Rrahmani ka thënë se institucionet dhe qytetarët kanë obligim që t’u qëndrojnë pranë ish-krerëve të UÇK-së dhe të angazhohen për kthimin e tyre në Kosovë.
Ai ka bërë të ditur se grupi parlamentar i PDK-së është duke analizuar mundësitë juridike për të ndërmarrë veprime lidhur me vendimin.
Rrahmani: Nuk duhet ta pranojmë një vendim të padrejtë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
“Është vendim i padrejtë dhe absolutisht nuk duhet pranuar një vendim të tillë, sepse ata janë njerëzit që e kanë çliruar këtë vend, këtë popull, dhe e kemi obligim që çfarëdo ndihme, me iu qëndruar pranë atyre dhe me u angazhuar që ata me të kthehen në vendin e tyre, të cilin e kanë lanë të lirë. Si grup parlamentar, janë duke u analizuar të gjitha mundësitë juridike që të marrim vendime ligjore dhe kushtetuese, që të mos kemi padrejtësi në gjykimin e askujt, e aq më pak të çlirimtarëve që po mbahen në Hagë”, tha Rrahmani.
Rrahmani ka deklaruar se PDK-ja është e angazhuar edhe në mbledhjen e nënshkrimeve për një nismë të mundshme në Kuvend pavarësisht shkeljeve kushtetuese siç thotë ai që janë bërë kohëve të fundit në Kuvendin e Kosovës
Rrahmani: Do të ndërmarrim veprime për të ndalur padrejtësinë ndaj ish-krerëve të UÇK-së
“Jemi në angazhim edhe në mbledhjen e nënshkrimeve dhe në vlerësimin e situatës dhe veprimet të cilat duhet t’i marrim, që të jenë në përputhje edhe me Kushtetutën, edhe me ligjin e vendit, që ta pamundësojmë një padrejtësi që po bëhet ndaj atyre që e kanë çliruar vendin dhe që e kanë vendosur me vdekë për këtë vend. Kjo është më e pakta që mund të bëjmë ne si deputetë, e kemi obligim. Nëse është nevoja edhe me shkelje kushtetuese me u ndal një padrejtësi, nuk është dëm, po iu bëhet nder atyre që kanë luftuar dhe amanetin e dëshmorëve me e çu në vend”, tha ai.
