Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ryanair, brenda 5 viteve, 50 destinacione nga Shqipëria

Ryanair, kompania ajrore numër 1 për fluturimet më të lira në Evropë, synon të arrijë në 50 numrin e destinacioneve nga Shqipëria në 5 vitet e ardhshme. Një projekt që jo vetëm krijon lehtësi udhëtimi të shpeshta për shqiptare e të huaj, por planifikon të hapë edhe 5 mijë vende të reja pune. Lajmi u bë i ditur nga përfaqësues të Ryanair, në vizitën e organizuar për gazetarët shqiptare në aeroportin e Bergamos, si një model tashmë i provuar suksesi i bashkëpunimit mes kompanisë dhe këtij te fundit, model i cili është projektuar të ndiqet dhe në aeroportin tonë.

“Ne mendojmë që aeroporti i Tiranës pa diskutim ka potencial të madh, ndaj e nisëm punën me ta me një numër të konsiderueshëm fluturimesh. pra të ofrosh udhëtime në 17 vende të Bashkimit Europian, mendoj se tregon që Ryanair ka interes për Shqipërinë. Por ky është vetëm fillimi, ne parashikojmë të sjellim 1.6 milionë pasagjerë në vitin tonë të parë, por është e sigurt se duam të rritemi. Ne planifikojmë që për 5 vite të arrijmë 5 milionë pasagjerë e të shtojmë dhe 50 destinacione të reja”.

Kompania me kosto të ulët, e cila numëron 3300 fluturime në ditë dhe lidh 37 vende të botës, e shikon Shqipërinë si një treg kyç ndaj parashikon të krijojë në vendin tonë një bazë të saj. Ryanair synon të shtrijë investimet e saj në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës, gjë që do të shërbejë në zgjerimin e aeroportit dhe shndërrimin e tij në një qendër rritje dhe mundësie. Një shembull konkret është padyshim dhe aeroporti i Bergamos, i cili ka 20 vite histori suksesi me Ryanair.

“Ryanair na u bashkua në 2002 me fluturimet e para dhe në shkurt të 2003 ngriti bazën këtu dhe që nga ai moment, aeroporti u rrit. Ndryshoi rrënjësisht në mënyrë sinjifikative në 20 vite në çdo kuptim, u zgjeruan hapësirat, u shtuan udhëtarët, numri gateve, dyqaneve, parkimeve. Çdo gjë”, tha Giacomo Cattaneo, BGY Commercial Director.

Ryanair, filloi fluturimet e saj me Shqipërinë më 31 tetor, me çmime që fillojnë nga vetëm 15 € për një-drejtim në 17 destinacione me 200 fluturime javore. Kjo kompani ka sjellë një revolucion në udhëtimin ajror nëpër Evropë. Ajo planifikon të rrisë flotën e saj në 800 avionë, dhe trafikun në 300 milionë pasagjerë gjatë dekadës së ardhshme. Një pike kyçe është padyshim dhe Shqipëria e cila ka aeroportin më të madh në Ballkanin Perëndimor dhe ka rritjen më të shpejtë në Europë, që pas marrjes në drejtim të Grupit Kastrati.