Lajme

Sekuestrohen rreth 60 kg marihuanë në aksionin e Prokurorisë, Policisë e AKI-së, arrestohen katër të dyshuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës- Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve disamujore, si dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore, ka zhvilluar një aksion, ku janë sekestruar rreth 60 kilogramë marihuanë dhe u arrestuan katër të dyshuar.

Sipas Policisë, aksioni u zhvillua në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Lidhur me këtë rast janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar, prej të cilëve një (1) shtetas i Republikës së Kosovës, dy (2) shtetas të Republikës së Serbisë dhe një (1) shtetas i Republikës së Shqipërisë. Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale ‘’Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, nga neni 267 par.3 lidhur me nenin 275 par. 1.9 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas Prokurorisë, gjatë këtij aksioni janë sekuestruar: rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy vetura, dhe një kamion.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.

Të Ngjashme