Lajme

SHBA-të bombardojnë pesë cisterna iraniane të naftës pasi marina e tyre sulmohet

Shtetet e Bashkuara kanë sulmuar pesë anije cisternash iraniane të naftës në Gjirin e Omanit dhe pranë ishullit Kharg, pasi akuzuan Teheranin për lëshimin e raketave balistike drejt një anijeje luftarake amerikane dy herë brenda dy ditësh.

Në një deklaratë të martën vonë, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) tha se Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) e Iranit kishte tentuar të shënjestronte një anije luftarake amerikane dy herë gjatë dy ditëve të fundit, por se anija “i shmangu me sukses sulmeve të tentuara iraniane”.

“Asnjë personel amerikan nuk u lëndua”, tha ajo.

CENTCOM tha se u përgjigj duke goditur dhe shkatërruar transportuesit iranianë të naftës, M/T Kaviz, M/T Charminar, M/T Horizon 1 dhe M/T Riesco në Gjirin e Omanit, si dhe M/T Derya pranë ishullit Kharg.

“Forcat amerikane i udhëzuan ekuipazhet të braktisnin anijen përpara se anijet të goditeshin dhe të bëheshin të papërdorshme”, shtoi CENTCOM, citon Al Jazeera.

Ministria e Punëve të Jashtme e Iranit dënoi të martën sulmet e fundit të SHBA-së ndaj anijeve tregtare iraniane si shkelje të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke i përshkruar ato si një “krim lufte”.

Ajo tha se “veprimet e paligjshme dhe agresive” ishin një vazhdim i “agresionit” ushtarak dhe “luftës ekonomike” të SHBA-së kundër vendit dhe paralajmëroi se Uashingtoni dhe partnerët e tij mbajnë përgjegjësi të plotë për pasojat.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, i mbrojti sulmet, duke u thënë gazetarëve gjatë një vizite në Kolumbi se Uashingtoni nuk do të tërhiqet.

Të Ngjashme