Disa persona u plagosën të mërkurën në një shkëmbim zjarri në qendër të Kievit mes SBU-së, shërbimit të sigurisë së brendshme të Ukrainës, dhe HUR-it, inteligjencës ushtarake.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy reagoi pas incidentit, tw cilin e përshkroi si “të turpshëm”.
Përplasja dyshohet se lidhet me arrestimin nga SBU-ja të një shtetasi rus që luftonte për Ukrainën nën mbikëqyrjen e HUR-it.
Sipas mediave lokale, tre oficerë të HUR-it u plagosën pasi mbërritën gjatë një kontrolli të SBU-së.
SBU-ja tha se oficerët e saj u sulmuan me armë dhe u kundërpërgjigjën.
SBU-ja dhe HUR-i deklaruan se kishin parandaluar një komplot terrorist të mbështetur nga Rusia, që synonte një lider të opozitës ruse në Ukrainë.
I arrestuari pretendoi se ishte rekrutuar nga një person që vepronte për inteligjencën ruse, ndërsa avokati i tij tha se videoja ishte regjistruar nën presion.
Pas incidentit, Zelenskyy shkarkoi kreun e departamentit të SBU-së për mbrojtjen e sekreteve shtetërore, Oleh Khramov.
Ai deklaroi se, “të shtënat këtu në Ukrainë lejohen vetëm kundër pushtuesve rusë, në mbrojtje të Ukrainës. Shteti ynë nuk do ta konsiderojë kurrë asnjë shkëmbim zjarri tjetër si të pranueshëm”.
Agjencia kryesore hetimore e Ukrainës ka nisur hetim për incidentin. Përplasja ndodhi ndërsa Kievi po përballet me bombardime intensive ruse dhe mungesë të interceptorëve Patriot, shkruan Guardian.
Në një incident tjetër, një 71-vjeçar u qëllua jashtë një klinike në Kiev dhe ndodhet në gjendje të rëndë.
Ndërkohë, mediat ruse raportuan se gjeneralmajor Nikolai Varpakhovich, i akuzuar se urdhëroi sulmin ndaj spitalit të fëmijëve Okhmatdyt në vitin 2024, u qëllua dy herë dhe ndodhet në gjendje kritike.
