Lajme

Shqipëri: 5 vatra zjarri janë ende aktive

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri ka informuar se deri në orën 14:00, janë raportuar 11 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 1 është shuar.

Në operacionet për menaxhimin e situatës janë angazhuar në total 65 forca operacionale dhe 2 automjete zjarrfikëse, ndërsa Forcat e Armatosura mbështesin operacionet me 20 efektivë dhe 1 helikopter.

Vatrat aktive janë:

* Mali i Dajtit, Tiranë – vijon ndërhyrja në zonën mbi tunelet e Qafë Mollës, me 40 forca zjarrfikëse, 7 forca të ADZM dhe 20 efektivë të FA, të mbështetur nga 1 helikopter i FA-së. Vatrat vijojnë aktive, por nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Ballenjë, Dibër – zjarri vijon në një terren të vështirë shkëmbor, me 5 forca të ADZM Dibër të angazhuara. Nuk ka rrezik për zonat e banuara.

* Qafë e Helmës, Bulqizë – vatra vijon aktive dhe po monitorohet nga 4 efektivë të MZSH Bulqizë. Nuk paraqitet rrezik për banesat.

* Mali i Dardhës, Librazhd – vatra është riaktivizuar në një sipërfaqe pyjore prej rreth 7–8 ha. Në terren ndodhen efektivë të MZSH Librazhd dhe nuk rrezikohen banesa.

* Valikardhë, Bulqizë – operacioni vijon me 1 automjet zjarrfikës dhe 6 efektivë. Po punohet për izolimin e vatrës, e cila favorizohet nga era dhe temperaturat e larta.

Situata paraqitet e menaxhueshme, me angazhimin kryesor të përqendruar në vatrat aktive, ndërsa zonat e Gjegjanit, Gojanit, Prozhmit dhe Tërbunit në Pukë nuk kanë më vatra aktive dhe vijojnë vetëm nën monitorim.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon të ndjekë në mënyrë të pandërprerë situatën në të gjithë territorin e vendit, në koordinim të ngushtë me prefekturat, bashkitë dhe të gjitha strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për të ndërhyrë aty ku situata e kërkon, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Të Ngjashme