Një 46-vjeçar nga Kosova, me inicialet B.G., është arrestuar nën dyshimin se gjatë natës mes së martës dhe së mërkurës ka vrarë bashkëjetuesen e tij në Ulqin, në lagjen Kodra, dhe më pas i ka vënë zjarrin shtëpisë ku ata jetonin, raporton Vijesti.
Sipas policisë, i dyshuari ka pësuar edhe vetë lëndime nga zjarri dhe fillimisht është dërguar për trajtim në Spitalin e Përgjithshëm në Tivar, e më pas në Qendrën Klinike të Malit të Zi në Podgoricë.
Policia ka bërë të ditur se rreth orës 00:30 është njoftuar për një zjarr në një objekt banimi në lagjen Kodra të Ulqinit. Menjëherë pas ndërhyrjes në vendngjarje, zyrtarët policorë kanë gjetur trupin e pajetë të një gruaje të paidentifikuar fillimisht, e cila më vonë është identifikuar si D.N. (36), shtetase e Shqipërisë.
Po ashtu, në vendngjarje është gjetur dhe ndaluar një person me lëndime nga zjarri, i cili më vonë është identifikuar si B.G. (46).
Rasti është raportuar te prokurori shtetëror në Prokurorinë e Lartë Shtetërore në Podgoricë, i cili ka udhëhequr hetimet në bashkëpunim me policinë. Sipas njoftimit, janë ndërmarrë veprime hetimore, janë marrë deklarata nga dëshmitarë, janë siguruar pamje nga kamerat e sigurisë dhe prova materiale nga vendi i ngjarjes, të cilat do të ekspertizohen.
Hetimet e deritanishme, sipas autoriteteve, krijojnë dyshimin se B.G. ka kryer veprën penale “vrasje e rëndë”, ka ndezur zjarr në shtëpinë ku ndodhi ngjarja dhe më pas është larguar nga vendi.
Trupi i viktimës është dërguar për obduksion në Qendrën Klinike në Podgoricë për të përcaktuar shkakun e saktë të vdekjes dhe rrethanat e plota të ngjarjes.
Ndërkohë, i dyshuari B.G. ndodhet nën mbikëqyrje policore në Qendrën Klinike, ku po trajtohet për djegiet e marra gjatë incidentit. Autoritetet kanë bërë të ditur se për zhvillimet e mëtejshme publiku do të njoftohet me kohë.
