Gjatë ditës së sotme, ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti ka mbajtur një takim me përfaqësuesit e Shoqatës së Ndërtimit në Kosovë për të diskutuar për shqetësimet mbi sigurinë dhe shëndetin në punë në sektorin e ndërtimtarisë.
Kryetari i Shoqatës së Ndërtimit, Valon Vataj tha se në takim u diskutua për problemet aktuale dhe adresuan disa kërkesa për shëndetin dhe sigurinë në punë.
Vataj: Diskutuam për problematikat aktuale, erdhëm me disa kërkesa
“U diskutua për problematikat aktuale të cilat janë sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë. Ne erdhëm me disa kërkesa sa i përket sigurisë dhe shëndetit në punë duke përfshirë nga shpërndarja e përgjegjësisë, duke pasë parasysh praktikat e Bashkimit Evropian që janë punëdhënësi, punëtori dhe institucioni. Ju ofruam bashkëpunim ministrit dhe ministrisë sa i përket neve si shoqatë, do të jemi një urëlidhëse mes institucioneve dhe sektorit të ndërtimit“, tha Vataj.
Vataj shtoi se edhe punëtorët duhet të bëhen pjesë e përgjegjësisë sa i përket sigurisë dhe sipas tij, nëse këto përgjegjësi nuk zbatohen është problem.
Vataj: Edhe punëtorët do të jenë pjesë e zbatimit të përgjegjësive për sigurinë
“Mirëpo sa i përket punës së zbatimit të tyre do të kenë përgjegjësi edhe punëtorët sigurisht, ata që janë pjesë e punës; në qoftë se ato nuk zbatohen atëherë është problem shumë. Njëkohësisht një shqetësim për neve si shoqatë është edhe puna e certifikimeve, në këtë rast edhe puna e trajnimeve për siguri në punë, e cila kohët e fundit po shihet si një lloj formaliteti”, shtoi ai.
Kryesuesi i shoqatës bëri të ditur se së shpejti do të fillojnë një fushatë sensibilizuese dhe vetëdijësuese për ndërtimin, kompanitë e ndërtimit dhe sigurinë në vendpunishte.
Ndërsa, Kastriot Jashari, u.d drejtori i Inspektoratit Qendror të Punës është shprehur se takimi ishte në frymë bashkëpunuese dhe u dakorduan për vazhdim të partneritetit.
Jashari: Takimi ishte në frymë të plotë konstruktive, partneriteti ynë është i padiskutueshëm
“I gjithë takimi ishte në frymë të plotë konstruktive, natyrisht ata kanë shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojmë me neve, secili në rolin e vet…Partneriteti ynë është i padiskutueshëm, që edhe nga ana e tyre edhe nga ana jonë secili jemi në rolin tonë, dhe do të bazhdojmë të bashkëpunojmë në kuptimin e kontributit tonë për sigurinë në plotë”, tha Jashari.
Gjatë javës së kaluar, Inspektorati Qendror i Punës ka filluar një aksion në vendpunishtet e sektorit të ndërtimtarisë, i cili do të zgjasë 15 ditë dhe do të zhvillohet në shtatë rajone.
