Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sindikata e Policisë nesër në takim me Sveçlën

 
   

Sindikata e Policisë së Kosovës do të takohet të mërkurën e 20 dhjetorit me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla për të biseduar rreth kushteve të policisë dhe kërkesave që kanë parashtruar në protestën e nëntë dhjetorit.

Kështu ka bërë të ditur, Imer Zeqiri, kryetari i kësaj sindikate.

“Po do të kemi një takim me ministrin Sveçla. Do të kemi takim të rregullt rreth kushteve të policisë në përgjithësi dhe sigurisht që do i parashtrojmë edhe kërkesat që i kemi paraqitur në protestë, por në këtë takim do jemi vetëm ne, nuk është NjSI”, ka thënë Zeqiri.

Kjo njësi ka protestuar dy herë qëkur Qeveria propozoi që shtesat për NJSI-në të jenë 150 euro, ndërsa në kërkesë policët kanë thënë se ajo duhet të caktohet në vlerë prej 50 për qind të pagës bazë.

14 kërkesat e parashtruara nga policia në protestën e nëntë dhjetorit ishin, përmirësimi i kushteve të punë në përgjithësi, siç janë, veshmbathjet, mjetet e punës, mjetet logjistike, objektet policore duke pasur parasysh se disa objekte policore dhe automjete, si dhe pajisje tjera të domosdoshme për kryerjen e detyrave zyrtare, nuk i plotësojnë kushtet minimale për punë, rrezikshmëria për zyrtarët policorë të jetë permanente dhe mos të varet vetëm nga një vend apo lokacion i caktuar, si dhe kërkojmë që shtesa për rrezikshmëri në punë të jetë nga 25 deri në 50% e pagës bazë dhe të formohet një komision që do të bëjë rivlerësimin e nivelit dhe kategorizimin e shtesave për rrezikshmëri, përfshirja e njësive të caktuara në shtesën për kushte të tregut të punës, ligji për pensionim në moshën 55-vjeçare, e njëjtë me ligjin e FSK-së.

Në mesin e kërkesave ishin edhe sigurimi jetësor dhe rritja e fondit në buxhetin e policisë për shërbimet shëndetësore me qëllim të mbulimit të shpenzimeve për barna dhe shërbime tjera, invaliditeti i pjesëtarëve të PK-së të cilët janë lënduar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, kërkojmë të krijohet një fond apo caktohet një shumë e mjeteve financiare për shkallën e invaliditetit, përfshirja e stafit civil në shtesën për punë specifike, shujta ditore për të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës, për të gjithë e barabartë, pagesa e udhëtimit për ata që udhëtojnë larg nga vendbanimi deri në punë, shtesa për fundvit e vlerës së një page për të gjithë ata që kanë treguar performancë të mirë gjatë tërë vitit, rikthimi i përvojës së punës për vite në 0.5 siç ka qenë, po ashtu edhe njohja e kualifikimit shkollor, të rikthehen tri pagat përcjellëse për zyrtarët që pensionohen, të lejohet një pagë për të gjithë pjesëtarët e policisë që mund të kenë një rast vdekje në familjen e ngushtë dhe përkujdesja për mirëqenien e familjeve të pjesëtarëve të policisë së Kosovës që kanë humbur jetën gjatë kryerjes së detyrës zyrtare apo janë lënduar. Si për shembull: shkollimi i fëmijëve, punësimi i njërit nga fëmijët apo anëtarë nga familja e ngushtë, sigurimi i vendbanimit nëse nuk kanë.