Kriza politike dhe institucionale në Kosovë po vazhdon të jetë në qendër të zhvillimeve, ndërsa deklaratat dhe qëndrimet e fundit të ish-emisarit amerikan Richard Grenell ndaj zhvillimeve politike në vend kanë nxitur reagime të shumta.
Grenell së fundmi ka shprehur mbështetje për gjashtë deputetë të LDK-së, të cilët kanë deklaruar se nuk do ta votojnë Bekim Sejdiun për president të Kosovës, ndërsa ndër emrat që ai ka cilësuar si miq të mirë të Amerikës është edhe Avdullah Hoti.
Lidhur me këto zhvillime, juristi nga Belgjika, Skënder Musliu, ka reaguar duke e akuzuar Grenellin se po ndërhyn në zhvillimet politike në Kosovë dhe se, sipas tij, synimi është bllokimi i konstituimit të institucioneve dhe dobësimi politik i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Musliu thotë se kriza institucionale në Kosovë është rezultat i veprimeve të opozitës, të cilat, sipas tij, janë të koordinuara me aktorë jashtë vendit.
“Richard Grenell bashkë me kolonën e pestë po i prin proceseve destruktive kundër konstituimit të institucioneve të Kosovës.
Kriza institucionale, që po zgjat gati për dy vite, është karakteristikë dhe rezultat i sjelljeve dhe veprimeve skajshmërisht të papërgjegjshme të opozitës, e cila, në koordinim me Edi Ramën dhe Grenellin, të ndihmuar nga media mercenare, kontribuojnë në sabotimin dhe bllokimin e institucioneve më kritike dhe më vitale të shtetit.
Në gjithë këtë krizë institucionale dhe politike, rol të rëndësishëm luan Grenell, i cili, përmes manipulimeve dhe premtimeve të rreme, ende mban gjallë shpresat te opozita për zbatimin e marrëveshjeve mes tij, Thaçit, Ramës dhe Vuçiqit”, deklaron Musliu.

Skënder Musliu
Sipas tij, Grenelli është një nga figurat që po ndërhyjnë më së shumti në zhvillimet politike në Kosovë.
“Grenelli është një nga protagonistët më aktivë, i cili ngushtë punon me diasporën serbe në SHBA dhe lobon në Senatin dhe Kongresin Amerikan për llogari të Serbisë, e kundër interesave të Kosovës.
Prandaj, kur Grenell thotë se Ramush Haradinaj dhe A. Hoti, i cili me grupin e tij kundërshton kandidatin Bekim Sejdiu për president, i ka miq, na jep të kuptojmë se çfarë manipulimi bëjnë me matrapazët e kolonës së pestë”, shprehet ai.
Musliu pretendon se synimi kryesor i Grenellit është largimi i Kurtit nga skena politike dhe rikthimi i forcave të mëparshme politike në pushtet.
“Në fakt, shënjestra e Grenellit është eliminimi i Kurtit nga skena politike dhe kthimi i kastave të kaluara kriminale të PLAN-it, me politikat e tyre servile dhe nënshtruese ndaj SHBA-ve, në rastin konkret ndaj Grenellit, vetëm e vetëm të vijnë në pushtet për ta mbrojtur pasurinë e fituar nga korrupsioni dhe krimi i organizuar.
Ajo çka e karakterizon lidhshmërinë dhe ‘miqësinë’ e politikanëve opozitarë me R. Grenellin, është ekskluzivisht interesi personal dhe klanor e kurrsesi interesi shtetëror, sepse emërues i përbashkët i tyre është rrënimi i Rendit Kushtetues, dobësimi i subjektivitetit, sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Kosovës”, thotë Musliu.
Duke folur për raportet e Grenellit me politikën kosovare, Musliu përmend edhe periudhën kur ai ishte i angazhuar si emisar amerikan për dialogun Kosovë-Serbi.
“Rrugëtimi i ‘miqësisë’ së Grenellit me Kosovën nis me H. Thaçin, të cilin e lidhte një interes i inkriminuar i përbashkët, që konsistonte në ndarjen, respektivisht faljen e Veriut të Kosovës, Serbisë.
Interesi i Thaçit ishte të shpëtonte nga Gjykata Speciale, kurse interesi i Grenellit, përmes Vuçiqit, të investojë në Trepçë dhe Ujman.
Mos të harrojmë se pikërisht nën presionin e Grenellit dhe në bashkëpunim me H. Thaçin, në krizën më të madhe energjetike dhe pandemisë, e rrëzuan Qeverinë Kurti 1, në kohën kur LVV-ja formoi Qeverinë me LDK-në.
Këtë grusht shteti më së miri e ka shpjeguar deputeti i LDK-së, A. Gashi, i cili kishte deklaruar se Grenelli i kishte dhënë shtatë ditë afat për ta rrëzuar Kurtin nga pushteti, me qëllim hapjen e rrugës për ndarjen e Kosovës”, pretendon ai.
Musliu thotë se, sipas tij, veprimet e Grenellit, Edi Ramës, opozitës dhe politikave të Aleksandar Vuçiqit kanë një pikë të përbashkët.
“Nëse i analizojmë veprimet e Grenellit, Edi Ramës, PLAN-it, mediave mercenare dhe politikat e Vuçiqit, do të konstatojmë se të gjitha këto janë kundër Albin Kurtit, i cili çdo ditë e më tepër po i zhvesh nga hajnia dhe tradhtia.
Që nga implikimi i R. Grenellit në skenën politike të Kosovës, ai me mjeshtri dhe përmes manipulimit, kinse si pjesë e administratës Trump, krijoi ‘miqësi’ me politikanë të shantazhuar, pazargjinj, naivë dhe të korruptuar, duke filluar me H. Thaçin dhe klanin e tij, me LDK-në, AAK-në e të tjerë.
Ndër këta politikanë më i ekspozuar është edhe R. Haradinaj, i cili kohëve të fundit ishte takuar privatisht edhe në Amerikë me Grenellin”, shprehet Musliu.
Në këtë kontekst, ai ndalet edhe te kërkesat e Ramush Haradinajt për votat për presidentin.
“Në këtë kontekst, insistimi i Haradinajt për gjashtë kushtet, ndër të cilat më e rëndësishmja ishte që Kurti ta pranojë gazin amerikan në këmbim të votave të AAK-së për zgjedhjen e presidentit.
Në realitet, nuk është gaz amerikan, por bëhet fjalë për gaz rus që Grenelli do ta shiste me flamur amerikan, si gaz amerikan. Së këndejmi, askush nuk mund ta përjashtojë mundësinë që R. Haradinaj do të bëhej pjesë e konsorciumit të këtij projekti për përfitime personale, përmes shantazhit të votave për presidentin”, thotë ai.
Musliu përmend edhe të kaluarën e Grenellit në Gjermani, duke pretenduar se ai ishte shpallur persona non grata.
“Është po ky Grenell, i cili, si ambasador i SHBA-ve në Gjermani, për shkak të shkeljeve të Konventës së Vjenës për diplomatët, ishte shpallur persona non grata dhe ishte përjashtuar nga Gjermania”, deklaron Musliu.
Në fund, juristi nga Belgjika thotë se bllokada aktuale politike duhet, sipas tij, të shihet në kuadër të një skenari më të gjerë politik.
“Prandaj, vetëm në këtë kuptim duhet shikuar edhe bllokadat e opozitës dhe sabotimi për konstituimin e institucioneve shtetërore, sepse ky ngërç politik është i organizuar dhe orkestruar nga Grenelli, Vuçiqi, në krye me opozitën, me të vetmin qëllim: të mos i lejohet Kurtit të vijë prapë në pushtet.
Mirëpo, maskarenjtë tanë duhet ta dinë se Grenelli nuk i përfaqëson politikat e administratës amerikane”, përfundon Musliu për “Bota sot”.
