Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Sopjani për zgjedhjet në veri: Epilogu më i shkurtër do të ishte dorëheqja e kryetarëve aktualë

 
   

Avokati Shkelzen Sopjani ka thënë se mënyra më efikase për organizimin e zgjedhjeve në veri do të ishte dorëheqja e kryetarëve aktualë.

Kjo pasi, sipas tij, epilogu më i shkurtër për këtë çështje do të ishte dorëheqja, teksa thotë se udhëzimi administrativ vetëm se e komplikon këtë proces.

“Kjo është një gjë që kërkon zgjidhje politike duke iu përmbajtur procedurave ligjore, dy opsione janë dy mundësi, përmes peticionit apo dorëheqjes së kryetarëve politikë. Mënyra më efikase është dorëheqja e kryetarëve aktualë, mbetet prej akterëve tanë që ta identifikojnë se cila është mënyra më dobidhënëse në procesin politik”, ka thënë Sopjani.

Ai thotë se situata në veri është në përmirësim e sipër, pasi policia po kryen punët në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Situata në veri është në përmirësim e sipër, pasi policia po i kryen punët e veta në mënyrën më të mirë të mundshme. Ka veprime të përditshme policore që janë në funksion, nuk po shoh ndonjë nevojë për me pas ndonjë shqetësim të theksuar për pjesën e sigurisë në atë pjesë”, ka vijuar ai.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), ka miratuar në shtator udhëzimin administrativ që përcakton rrugën ligjore për largimin e kryetarëve nga detyrat e tyre përmes peticionit.

Sipas Udhëzimit administrativ, për iniciativën e qytetarëve për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni, këto grupe përveç kryesuesve të kuvendeve komunale, duhet ta njoftojnë edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas Udhëzimit, pas pranimit të kërkesës, jo më vonë se pesë ditë, kryesuesi i kuvendit komunal e shqyrton atë dhe e regjistron grupin nismëtar si palë të autorizuar. Nëse kjo nuk bëhet brenda afatit, atëherë grupi nismëtar mund të kërkojë nga KQZ-ja të shqyrtojë kërkesën dhe ta regjistrojë si palë të autorizuar.

Jo më vonë se pesë ditë nga regjistrimi, grupi nismëtar duhet të paraqesë te kryesuesi i kuvendit komunal dokumentacionin e nevojshëm ku përfshihen lista e nënshkrimeve dhe autorizimi nga kuvendi komunal për shfrytëzimin e hapësirës publike për mbledhjen e nënshkrimeve.

Më pas, KQZ-ja, jo më vonë se pesë ditë nga pranimi i kërkesës, njofton kryesuesin e kuvendit komunal, grupin nismëtar për numrin e tërësishëm të votuesve në komunën përkatëse dhe për numrin e nënshkrimeve që kërkohen.

Grupi nismëtar ka afat prej 30 ditësh që t’i mbledhë nënshkrimet fizikisht. Afati mund të shtyhet vetëm një herë për 15 ditë.

Më pas, nënshkrimet dorëzohen te kryesuesi i kuvendit komunal dhe KQZ-ja. Pas kësaj, institucioni i zgjedhjeve verifikon nënshkrimet dhe nëse nuk janë aq sa kërkohen – 20 për qind e votuesve – nismëtarët e kërkesës kanë afat prej 10 ditësh për ta përmbushur këtë kuotë, ku në bazë të kësaj, nëse KQZ-ja më pas konfirmon se janë mbledhur nënshkrimet e duhura, atëherë organizohet votimi për largimin e kryetarit të komunës nga funksioni.