Aktuale

SPAK fillon hetim pasuror ndaj ministrit Ferit Hoxha/ I vëllai, pjesë e grupit të strukturuar kriminal “Ergys Agasi”

Në takimet për integrimin e Shqipërisë në BE, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, informon drejtuesit e Këshillit të Evropës edhe për arritjet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Por morali i propagandës së ministrit Ferit Hoxha bëhet “zero” në sytë e partnerëve ndërkombëtarë, për faktin se vëllai i tij Gëzim Hoxha është subjekt hetimi i SPAK-ut, për korrupsion dhe pjesëmarrje në grupin e strukturuar kriminal “Agasi”.

Vëllai i ministrit të Jashtëm është me 3 masa penale: bllokimi i pasaportës, ndalimi i daljes nga territori i Shqipërisë, detyrimi për t’u paraqitur para hetuesve të SPAK-ut dhe sekuestrimi i 1.3 milionë eurove, me indice si ardhura nga aktiviteti kriminal me tenderët e AKSHI-it.

Por sipas Ligjit “Anti-mafia”, goditja e drejtësisë ndaj Gëzim Hoxhës ka shtrirë veprimin edhe ndaj vëllait ministër Ferit Hoxha, për të verifikuar dhe hetuar nëse ka kryerje veprimesh të dyshimta pasurore mes tyre.

Një informacion i ardhur në “Pamfleti” nga burime brenda BKH-së zbulon se ndaj Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, ka filluar procesi i hetimit pasuror personal, familjar dhe i personave të lidhur me të deri te krushqia.

Ky hetim pasuror ka filluar në zbatim të Ligjit Nr. 10192, datë 3 dhjetor 2009, të ndryshuar me Ligjin nr. 24/2014, me objekt: “Parandalimi dhe goditja e krimit të organizuar e korrupsionit, nëpërmjet masave kundër pasurive të paligjshme”.

Ministri Ferit Hoxha është subjekt hetimi pasuror, ngaqë i vëllai Gëzim Hoxha është proceduar penalisht si pjesë e grupit të strukturuar kriminal “Agasi”, që ka përfituar fonde e pasuri publike nëpërmjet korrupsionit, presioneve dhe dhunës ndaj rivalëve në tenderë e ankande.

Sipas Ligjit “Anti-mafia”, përveç personave pjesë e grupit të strukturuar kriminal, hetim pasuror u bëhet dhe familjarëve të tyre, deri te lidhja e shtatë e zinxhirit të trungut familjar e krushqive, me dyshimin se i pandehuri mund të ketë fshehur pasuritë e siguruara nga aktiviteti kriminal.

Përveç zbatimit të ligjit “Anti-mafia”, disa verifikime e indice të tilla për fshehje të pasurive nga i pandehuri Gëzim Hoxha kanë vënë në lëvizje SPAK-un dhe nëpërmjet tij BKH-në, për të filluar hetimin pasuror të vëllait ministër Ferit Hoxha dhe të rrjetit të afërt familjar.

Do të hetohen pasuritë e ministrit Hoxha, të bashkëshortes dhe familjarëve të saj brenda e jashtë Shqipërisë, sepse ka indice që Gëzim Hoxha ka fshehur vlera monetare e pasuri në emër të vëllait ish-ambasador prej 30 vitesh dhe të rrjetit të afërt familjar të tyre.

Sipas informacionit, hetimi pasuror do të jetë i thelluar, nisur nga fakti që BKH, pas veprimeve të para verifikuese në ILDKPI, nuk ka gjetur dosje deklarimi pasuror personal e familjar nga Ferit Hoxha qysh prej vitit 2005.

Megjithëse deklarimin pasuror e ka pasur detyrim ligjor si ambasador i Shqipërisë në Francë, në BE, UNESCO, OKB dhe Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme, madje nuk ka bërë deklarim pasuror as pas emërimit ministër.

Të Ngjashme