Lajme

SPAK njoftim zyrtar: Belinda Ballukut i sekuestrohet vila në Green Coast, e përfitoi me korrupsion

SPAK ka thelluar hetimet ndaj deputetes dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, Belinda Balluku, duke njoftuar për prova dhe fakte të reja penale në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025.

Sipas Prokurorisë së Posaçme, hetimet, metodat speciale të hetimit, provat dixhitale dhe materialet e administruara kanë nxjerrë të dhëna të reja lidhur me procedurën e prokurimit për “Ndërtimin e Unazës së Jashtme të Tiranës, Loti 7”, si dhe për një vilë në kompleksin “Green Coast” në Palasë.

SPAK pretendon se në procedurën e tenderimit me fond limit mbi 2.35 miliardë lekë pa TVSH, Balluku, në cilësinë e ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë, ka krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë “Alko Impex General Construction” dhe “2T” sh.p.k.

Prokuroria thotë se gjatë hetimeve janë siguruar prova që lidhen edhe me një vilë në kompleksin “Green Coast”, të cilën e konsideron pasuri faktike të Ballukut, por që dyshohet se është mbajtur e fshehur përmes krijimit të dokumentacionit të pronësisë në emër të shtetasit Igli Tare.

Sipas SPAK-ut, për blerjen dhe ndërtimin e vilës janë kryer veprime që dyshohet se kanë shërbyer për fshehjen e pronës dhe të përfitimit të parregullt.

Prokuroria pretendon se investimi fillestar për objektin është kryer përmes një kontrate sipërmarrjeje me vlerë 250 mijë euro, ndërsa punimet e mëtejshme, sipas preventivit të administruar nga hetuesit, kanë pasur një vlerë nga rreth 288 mijë deri në 410 mijë euro.

SPAK pretendon gjithashtu se punimet në vilë janë realizuar nga shtetasi Arbër Abazi, pronar i kompanisë “Alko Impex General Construction”, e cila ishte pjesë e bashkimit të operatorëve ekonomikë të shpallur fitues për Lotin 7 të Unazës së Jashtme të Tiranës.

Sipas Prokurorisë, përfitimi i pretenduar nga korrupsioni është fshehur përmes veprimeve të mëtejshme fiktive lidhur me dokumentacionin e pronësisë, përfshirë një kontratë shitjeje të datës 12 shtator 2025.

SPAK thotë se nga hetimet janë evidentuar edhe vepra të reja penale që dyshohet se janë kryer nga personat e përfshirë.

Për Belinda Ballukun, Prokuroria përmend dyshimet për “Korrupsionin pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, “Refuzimin për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive” dhe “Pastrimin e produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Ndërkohë, Arbër Abazi dyshohet për korrupsion aktiv, ndërsa Igli Tare për pastrim të produkteve të veprës penale. Edhe shoqëria “Alko Impex General Construction” dyshohet për korrupsion aktiv.

Pas kërkesës së SPAK-ut, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 9 shtator 2026, ka vendosur sekuestro preventive mbi vilën në kompleksin “Green Coast”.

Pasuria e sekuestruar ndodhet në Palasë dhe ka një sipërfaqe totale prej 478 metrash katrorë truall dhe 142.6 metrash katrorë ndërtesë, sipas të dhënave të bëra publike nga SPAK.

Prokuroria e Posaçme ka bërë të ditur se hetimet vijojnë, me qëllim sqarimin e plotë të rrethanave dhe fakteve që janë objekt i procedimit penal.

Të Ngjashme