Ministrja serbe e Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, nuk u ka kërkuar ende falje shqiptarëve të Kosovës për deklaratën e saj se ndaj tyre do të bënte spastrim etnik, më 1998, po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit.
Por, një gjë të tillë, ajo e ka bërë karshi presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuciq dhe kryeministrit të këtij shteti, Gjuro Macut.
Ajo tha se u kërkon falje këtyre dyve pasi, sipas saj, ata u kritikuan pa faj për deklaratën e saj, për të cilën tha se u nxor nga konteksti.
Në një intervistë për televizionin Informer, Paunoviq tha se është “keqdashëse” që nga e gjithë emisioni janë shkëputur vetëm shtatë sekonda dhe se mbi atë pjesë është ndërtuar një rast politik.
“Ajo ishte historia ime, jo një deklaratë. Është e pakëndshme të shpjegosh se kjo nuk është politikë e presidentit dhe as e Qeverisë”, tha ajo, raporton Danas, transmeton KosovaPress.
Paunoviq falënderoi të gjithë ata që e mbështetën pas reagimeve të shumta ndaj deklaratës së saj, duke veçuar mbështetjen e Partisë Socialiste të Serbisë (SPS), ku edhe është anëtare, ndërsa kritikoi edhe mediat që, sipas saj, mbështetën dënimin e deklaratës së saj, duke shtuar se ata që e mbështetën atë, mbrojtën “dinjitetin dhe nderin e tyre”.
