Lajme

“Strategjia kryesore e administratës së presidentit Trump është…”, publicisti ‘zbulon’ çka fshihet prapa dialogut SHBA- Serbi

Sot pritet të mbahet rund i parë i Dialogut Strategjik në mes SHBA-së dhe Serbisë.

Kështu ka paralajmëruar ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, i cili e ka quajtur moment historik.

“Ajo që do të ndodhë të premten është vërtet një moment historik diplomatik dhe, do të thosha, edhe politik në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara”, ka thënë Gjuriq për Radiotelevizionin e Serbisë më 14 korrik.

Ai shtoi se ky vendim do ta “forcojë” situatën ekonomike dhe pozitën ndërkombëtare të Serbisë.

Po ashtu, Gjuriq theksoi se kjo e vendos Serbinë “në rrethin e vendeve me të cilat SHBA-ja ka nivelin më të lartë të bashkëpunimit institucional”.

Në anën tjetër, nga Departamenti amerikan i Shtetit (DASH) kanë thënë se Dialogu Strategjik ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë “paraqet një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve”.

Po ashtu, sipas DASH-it, “është një tregues i përkushtimit të të dy vendeve për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit tonë”.

“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, thuhet në përgjigjen e DASH-it dërguar REL-it.

Në përgjigje po ashtu thuhet se sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, kishte njoftuar më 6 gusht të vitit të kaluar se SHBA-ja do ta zhvillojë nisë këtë dialog me Serbinë.

Publicisti Emin Azemi, thotë se ky hap paraqet një zhvendosje pragamtike dhe teknokratike të qasjes së Uashingtonit zyrtar ndaj Ballkanit Perëndimor.

Sipas tij, strategjia kryesore e administratës së presidentit Trump është që përmes sekretarit Rubio të frenojë zgjerimin teknologjik dhe ekonomik të Kinës në Serbi.

“Nisja zyrtare e Dialogut Strategjik ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë më 17 korrik 2026 shënon një kthesë të rëndësishme institucionale në rajon, e cilësuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) si një “epokë e re” në marrëdhëniet bilaterale.

Ky hap paraqet një zhvendosje pragmatike dhe teknokratike të qasjes së Uashingtonit zyrtar ndaj Ballkanit Perëndimor, duke kaluar nga politika e dikurshme e “shtet-ndërtimit dhe rindërtimit” drejt krijimit të partneriteteve të qëndrueshme të bazuara në interesa të matshme ekonomike dhe të sigurisë.

Strategjia kryesore e administratës së presidentit Donald Trump përmes Sekretarit të Shtetit Marco Rubio është frenimi i zgjerimit teknologjik dhe ekonomik të Kinës në Serbi (e cila shërben si urë lidhëse për investimet kineze drejt BE-së), si dhe shkëputja e varësisë energjetike të Beogradit nga Rusia”, thotë Azemi për “Bota sot”.

Image
Publicisti Emin Azemi

Ai përmend katër shtyllat strategjike të dialogut, që siç e quan ai deklarativ.

“Dialogu nuk është thjesht deklarativ, ai bazohet në katër shtylla strategjike: energjia dhe infrastruktura (si projekti hidroenergjetik Gjerdap 3), inteligjenca artificiale dhe teknologjia e avancuar, bashkëpunimi në mbrojtje, si dhe projektet e gazit të lëngshëm (LNG). Madje, Serbia ka nënshkruar edhe marrëveshje me NASA-n për programin hapësinor Artemis.

Ky institucionalizim tregon se SHBA-ja po e trajton Serbinë si një partner kyç për stabilitetin rajonal, duke u ofruar atyre alternativa perëndimore ndaj ndikimit të Lindjes”, shprehet publicisti.

Partneriteti i ri, sipas Azemit, rrit hapësirën manovruese të Beogradit.

Ai thotë se zyrtarët serbë nuk e kanë fshehur faktin që do ta përdorin këtë pozicion për të forcuar argumentet e tyre rreth Kosovës.

“Ky partneritet i ri krijon një sfidë të rëndësishme diplomatike për Kosovën, pasi rrit hapësirën manovruese të Beogradit në Uashington. Ndërsa Beogradi zyrtarizon këtë kornizë të lartë bashkëpunimi, Dialogu Strategjik i planifikuar i Kosovës me SHBA-në u pezullua kohë më parë nga Uashingtoni si pasojë e pakënaqësive me veprimet e njëanshme të qeverisë kosovare që rritën tensionet në veri. Kjo asimetri mund të përkthehet në më pak presion të drejtpërdrejtë amerikan mbi Serbinë dhe më shumë trysni mbi Prishtinën në proceset negociuese.

Zyrtarët serbë, si ministri Marko Gjuriq, nuk e kanë fshehur faktin se këtë pozicion të ri do ta përdorin për të forcuar argumentet e tyre rreth çështjes së Kosovës në institucionet amerikane”, thekson Azemi.

Në fund, sipas Azemit ekziston rreziku që Kosova të anashkalohet, por partneriteti mes tyre nuk do të thotë pranim i pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës.

“Ekziston një rrezik real që Kosova të anashkalohet në projektet e mëdha rajonale ekonomike dhe infrastrukturore, por jo në planin e sigurisë gjeopolitike. Në këtë kuadër, paqja rajonale e synuar nga DASH nënkupton një rajon ku Serbia nuk është e rreshtuar me Rusinë, por ky partneritet nuk do të thotë pranim i pretendimeve territoriale të Serbisë ndaj Kosovës. Megjithatë, kjo kërkon që Kosova të rishikojë urgjentisht strategjinë e saj të koordinimit me aleatin kryesor (SHBA) për të mos humbur hapin e zhvillimeve rajonale”, përfundon publicisti.

Theksojmë se, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ato përfshijnë edhe përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik u pezullua në shtator të vitit 2025, “për një periudhë të pacaktuar”, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Departamenti i Shtetit nuk dha një afat se kur mund të nisë Dialogu Strategjik dhe nuk i specifikoi më shumë hapat që i pret nga autoritetet e Kosovës.

Të Ngjashme