Lajme

Supremja nxjerrë një vendim të ri për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë

Gjykata Supreme ka marrë vendimi me të cilin ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses V.Z., ndaj Policisë së Kosovës, duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar në tërësi Udhëzimin Administrativ për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.

Paditësja kishte paditur Policinë e Kosovës, duke kërkuar shfuqizmin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ, nenin 7, paragrafët 2, 3, 4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ Nr.01.2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përmes padisë, paditësja V.Z., kishte kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ- përkatësisht nenit 7, paragrafët 2,3,4 dhe 5 të Udhëzimit Administrativ (MPB) Nr. 01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë, të datës 26 maj 2026.

Sipas këtij UA, është paraparë procedurë e veçantë gradimi, sipas së cilës zyrtarët policorë me së paku 10 vjet përvojë pune aktive në Policinë e Kosovës mund të aplikojnë për fitimin e dy gradave njëherësh, pa u zbatuar kufizimet lidhur me kohëzgjatjen minimale të qëndrimit në gradën praprake. Pra, si rezultat i këtyre dispozitave, zyrtarët policorë që nuk kanë ushtruar funksionet dhe përgjegjësitë e gradës rreshter, lejohen të konkurrojnë drejtpërdrejt për gradën toger, në të njëjtën procedurë me rreshterët që kanë kaluar proceset paraprake të gradimit dhe kanë ushtruar përgjegjësi mbikëqyrëse.

Gjithashtu, pala e interesit V.S., krahas padisë së paditëses, kishte kërkuar shfuqizimin e tërësishëm të këtij Udhëzimi, duke e kontestuar procedurën e hartimit të aktit normativ.

Ndërkaq, pala e paditur- Policia e Kosovës përmes përgjigjes në padi, ka theksuar se i kundërshton në tërësi pretendimet e paditëses, pasi që nuk mbështeten në interpretimin sistematik të Ligjit për Policinë, në parimet e drejtësisë administrative e as në dokumentacionin administrativ mbi të cilin është bazuar nxjerrja e Udhëzimit Administrativ në fjalë.

Po ashtu, e paditura ka deklaruar se Udhëzimi në fjalë është nxjerrë në bazë të kompetencave të deleguara me Ligjin për Policinë dhe në kuadër të përgjegjësive të Drejtorit të Përgjithshëm për administrimin dhe menaxhimin e Policisë së Kosovës, me qëllim të rregullimit të procedurës së gradimit të zyrtarëve policorë në funksion të zhvillimit të karrierës dhe administrimit efikas të burimeve njerëzore.

Gjykata Supreme më 28 korrik 2026 ka nxjerrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar si të themeltë kërkesëpadinë e paditëses V.Z., dhe palës së interesit V.S., të paraqitur kundër Policisë, duke shpallur të paligjshëm dhe shfuqizuar në tërësi Udhëzimin Administrativ Nr.01/2026 për Procedurën e Gradimit të Zyrtarëve Policorë.

Në vendimin e Supremet thuhet se UA i kontestuar që është objekt shqyrtimi bie ndesh me nenin 5 të Udhëzimit Administrativ Nr.03/2013 për Standardet e Hartimit të Akteve Normative, pasi që nuk ekziston problem i përcaktuar e as veprim i justifikuar sepse procedura e gradimit ka qenë e rregulluar dhe e mbuluar me Udhëzimin Administrativ Nr.01/2019 dhe nuk ka pasur pengesa në rast nevoje për plotësim/ndryshimin eventual të atij UA dhe jo nxjerrjen e Udhëzimit të ri, siç është vepruar në rastin konkret.

Sipas Supremes, UA i kontestuar, ka probleme të shumta në aspektin e justifikimit të nevojave dhe problemit të identifikuar, e po ashtu identifikohen edhe paqartësi të normave, kuptueshmëria e tyre, qasja, dhënia e mundësisë për shprehjen e mendimit palëve të interesit, si dhe referimi jo i qartë i dispozitave në mes vete apo njëra me tjetrën.

Tutje, në vendimin e Supremes theksohet se në nenin 55, par.1, pika 1.8 të Ligjit për Policinë, përcaktohet se Drejtori i Përgjithshëm nxjerr akte nënligjore për procedurën e gradimit për personelin policor, mirëpo në rastin konkret me Udhëzimin e kontestuar Drejtori i Përgjithshëm ka ndërhyrë në sistemin e gradimit, duke shpërfillur gradimin e rregullt dhe shtuar kategori të re të gradimit, për dy grada njëherësh.

Lidhur me këtë, Supremja ka theksuar se aspekti material e substancial mund të rregullohet vetëm me ndryshime ligjore pas një analize të gjerë pasi që sistemi i deritanishëm është në përputhje me praktikën e regjionit dhe shteteve të BE-së, duke potencuar faktin se kjo përbën tejkalim të autorizimit dhe diskrecionit jashtëligjor të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, e që një të drejtë të tillë nuk ia njeh ligji.

Në vendimin e Supremes thuhet se Udhëzimi i kontestuar e zhvlerëson vlerësimin e përformancës si kriter shumë i rëndësishëm në secilën pozitë e në veçanti në Polici, ku nga 10% që ka konsumuar performanca me Udhëzimin paraprak të vitit 2019, në 5% me të riun.

Ndër të tjera, Supremja ka konstatuar diskrepancë dhe problem sa i përket kriterit të përvojës apo qëndrimit në gradë në raport me përformancën, e që janë në kuadër të nenit 6 dhe 7 të Udhëzimit të kontestuar, kjo pasi që qëndrimi në gradë 2 vite dhe vlerësimi i përformancës në 3 vitet e fundit nuk është në linjë dhe nuk është e qartë se çfarë është synuar me një rregullim të tillë.

Po ashtu, në vendim thuhet se një gradim i tillë është në kundërshtim të plotë me parimin e meritokracisë, barazisë, si dhe paraqet disbalancë të gradave dhe demotivim për personat e sistemuar si ushtrues detyre apo në grada në pritje, kur hyjnë në konkurrencë me kolegët e tyre me grada me të ulëta.

Andaj, Gjykata Supreme ka shpallur të paligjshëm dhe ka shfuqizuar në tërësi Udhëzimin Administrativ të kontestuar, për këto arsye:

Mungesa e Autorizimit Ligjor nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë- pasi neni 55 më tepër rregullon procedurën në vetvete sesa për ndryshim të kushteve materiale për gradim në kundërshtim me hierarkinë dhe sistemin e gradave sipas ligjit;
Ndryshimi i sistemit të gradimit – pra nga një sistem i deritanishëm i rregullt, dhe në përputhje me Ligjin gradë pas grade në sistem të kapërcimit të gradave apo konsumimit të dy gradave njëkohësisht;
Cenimi i hierarkisë së akteve juridike- pasi përmes aktit nënligjor (Udhëzimit) nuk mund të ndryshohet ose zgjerohet ligji;
Trajtimi i pabarabartë i kategorive të zyrtarëve- ata që janë graduar në mënyrë të rregullt kundrejt atyre që nuk janë graduar për 10 vite;
Mungesa e proporcionalitetit- pasi qëllimi i kompensimit të stagnimit të procedurës së gradimit për disa vite për disa zyrtarë mund të arrihet me mjete më pak kufizuese, pra qëllimi nuk e arsyeton mjetin;
Kufijtë e diskrecionit- Nevojat organizative nuk mund të përdoren si autorizim i pakufizuar për krijimin e të drejtave materiale;
Mungesa e veprimit të justifikuar për nxjerrjen e aktit nënligjor;
Mospërfillja e procedurave dhe kërkesave për hartimit e akteve nënligjore konform Udhëzimin Administrativ nr.03/2013 për Standardet e Hartimit të Akteve Normative;
Mosdhënia e mundësive palëve të interesit për të shprehur mendimet e tyre në raport me aktin dhe përmbajtjen e tij;
Mungesa e qartësisë, koherencës, jokonsistencës, kuptueshmërisë së dispozitave brenda vetë aktit nënligjor.

Të Ngjashme