Veprimtari Saim Tahiraj, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur kryesisht për zhvillimet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe situatën aktuale politike në vend.
Ai ka komentuar sfidat me të cilat përballet partia, rëndësinë e unitetit dhe nevojën për një qasje më të përgjegjshme politike në interes të vendit.
Ai ka vlerësuar se çdo marrëveshje politike brenda LDK-së duhet të ketë konsensus të plotë të deputetëve.
Tahiraj ka paralajmëruar se mungesa e dakordimit mund të rrezikojë votimin dhe ka kërkuar nga Lumir Abdixhiku të intensifikojë takimet me deputetët për të siguruar kuorumin.
“Çdo marrëveshje politike që bëhet në mes subjekteve politike, fillimisht, brenda subjektit politik, në këtë rast LDK-së, ka qenë dashtë të bisedohet dhe të arrihet konsensus i plotë brenda LDK-së. Marrëveshja që arrihet vetëm me një grup të caktuar, pa konsensus, domosdoshmërisht do të sjellë pakënaqësi dhe mosvotim nga të gjithë deputetët e LDK-së.
Situata nuk duket e mirë dhe është rrezik nga mosvotimi i këtyr 6 deputetëve të LDK-së. I mbetet kryetarit Abdixhiku, me grupin e tij, të shtojë takimet me deputetët e LDK-së dhe t’i bindë, në mënyrë që ata/ato së paku të rrinë në sallë, në mënyrë që ta bëjnë kuorumin”, thotë ai.
Tahiraj ka kritikuar qasjen e Abdixhikut, duke e cilësuar si përçarëse dhe të pasuksesshme. Ai ka theksuar se ruajtja e unitetit të LDK-së duhet të jetë prioritet, veçanërisht në procesin e zgjedhjes së presidentit.
“Veprimet e kryetarit të LDK-së janë kryeneçe, hakmarrëse, nga inatet personale dhe rezultojnë të pasuksesshme, madje janë rrezik edhe për një plasaritje të re.
Më e rëndësishme duhet të jetë për Abdixhikun ruajtja e unitetit të partisë sesa marrëveshjet me Kurtin. Pa unitet të LDK-së nuk ka zbatim të marrëveshjes selektive, e aq më keq, thellohen ndasitë deri te një plasaritje e mundshme.
Shumë e rëndësishme është zgjedhja e presidentit të RK-së dhe jam i mendimit se të gjithë duhet të japin maksimumin në këtë drejtim. Por forma dhe mënyra se si e ka zgjedhur Abdixhiku nuk është e duhura dhe, nëse nuk e ndryshon qasjen, nuk do të ketë sukses” – përfundon ai.
