Lajme

Të paktën 47 të vrarë teksa Izraeli vazhdon sulmet në Liban pavarësisht marrëveshjes SHBA-Iran

Të paktën 47 persona u vranë dhe 97 të tjerë u plagosën nga një valë sulmesh ajrore izraelite në Libanin jugor dhe lindor që nga mesnata e së premtes, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Libanit.

Ky ishte përshkallëzimi më vdekjeprurës që nga marrëveshja e nënshkruar nga SHBA-ja dhe Irani për t’i dhënë fund luftimeve në disa fronte, përfshirë Libanin.

Sipas ministrisë, sulmet goditën disa qytete në distriktet Nabatieh, Jezzine dhe Baalbek, shkruan Anadolu.

Numri më i madh i viktimave u regjistrua në Harouf, ku u vranë nëntë persona, përfshirë tre gra, dhe u plagosën 14 të tjerë. Në Doueir humbën jetën gjashtë persona, përfshirë një fëmijë dhe një grua, ndërsa gjashtë të tjerë u plagosën.

Shtatë persona u vranë në Haboush, katër në Deir al-Zahrani dhe tre në Arab Salim, përfshirë një fëmijë. Në Libanin lindor, tre persona u vranë në Tal al-Abyad pranë Baalbek, ndërsa në Ain Bourday u plagosën nëntë persona.

Më herët të premten, Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit (NNA) raportoi për sulme ajrore dhe me dronë që goditën zona banimi, motoçikleta dhe toka bujqësore në jug të vendit.

Të mërkurën, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe Presidenti iranian Masoud Pezeshkian nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit të Islamabadit, që synon t’i japë fund luftës midis SHBA-së, Izraelit dhe Iranit dhe të ndalojë sulmet izraelite ndaj Libanit.

Megjithatë, anëtarë të qeverisë izraelite, veçanërisht ministrat e ekstremit të djathtë, kanë kundërshtuar lidhjen e marrëveshjes me përfundimin e operacioneve ushtarake në Liban, duke këmbëngulur në ruajtjen e pranisë ushtarake izraelite në jug të vendit.

Sipas shifrave zyrtare, ofensiva ushtarake izraelite në Liban që nga 2 marsi ka vrarë 3,980 persona, ka plagosur 12,001 të tjerë dhe ka zhvendosur më shumë se një milion banorë.

Izraeli vazhdon të mbajë të pushtuara zona në Libanin jugor, disa prej tyre prej dekadash dhe të tjera që nga konflikti i fundit.

Të Ngjashme