Lajme

Tensionohet situata jashtë Kuvendit të Shqipërisë, protestuesit godasin me vezë policinë

Pas përfundimit të seancës plenare, situata jashtë Kuvendit të Shqipërisë është tensionuar, teksa protestuesit janë përplasur me efektivët e Policisë së Shtetit dhe kanë bllokuar automjetin me të cilin po largohej deputetja socialiste Ilva Gjuzi.

Protestuesit janë grumbulluar rreth automjetit të deputetes, duke penguar për disa minuta lëvizjen, ndërsa kanë hedhur vezë, domate dhe sende të forta në drejtim të makinës.

Protestuesit kanë goditur një automjet që po lëvizte në rrugë dhe më pas janë përplasur me policinë, pasi efektivët kanë ndërhyrë për të ndaluar një prej tyre.

Gjatë incidentit, disa protestues kanë goditur edhe efektivët e policisë, ndërsa uniformat blu kanë nisur shoqërimin e disa prej protestuesve.

Në ndërhyrje është përfshirë edhe kordoni i efektivëve të “Shqiponjave”, të cilët kanë tentuar të krijojnë hapësirë për kalimin e automjeteve dhe kontrollin e situatës.

Për shkak të protestës, automjetet që lëvizin nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit” në drejtim të Unazës së Vogël të Tiranës janë bllokuar për disa minuta.

Situata vijon të jetë e tensionuar pranë godinës së Kuvendit, ndërsa policia ka vijuar ndërhyrjen për të rikthyer qarkullimin dhe për të kontrolluar situatën.

Të Ngjashme