Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani, ka falënderuar Bekim Sejdiun për gatishmërinë e tij për të shërbyer në postin e Presidentit të Republikës së Kosovës.
Osmani, përmes një shkrimi, ka vlerësuar mënyrën se si Sejdiu e ka përballuar procesin politik, duke theksuar se gjatë tij, sipas saj, çështjet personale shpesh janë vendosur mbi ato institucionale.
“Bekim Sejdiu meriton falënderim. Jo vetëm për gatishmërinë për t’i shërbyer vendit, por edhe për mënyrën se si e përballoi një proces ku personalja shpesh u vendos mbi institucionalen”, ka shkruar Osmani.
Ajo ka thënë se moszgjedhja e Presidentit nuk përbën humbjen e vetme, pasi sipas saj, Kosova ka humbur edhe një mundësi për të dëshmuar se mund të ndërtojë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet.
“Ndoshta pikërisht këtu qëndron humbja jonë më e madhe: jo vetëm që nuk arritëm të zgjedhim Presidentin, por humbëm edhe një tjetër mundësi për të treguar se në Kosovë mund të ndërtojmë konsensus rreth njerëzve me dije, integritet dhe dinjitet”, ka deklaruar ajo.
Osmani ka vlerësuar veçanërisht sjelljen e Sejdiut gjatë procesit, duke theksuar se politika dhe fushatat janë të përkohshme, ndërsa mënyra se si një person sillet në momente të vështira mbetet.
“Politika kalon. Fushatat mbarojnë. Zgjedhjet përsëriten. Por mënyra se si një njeri sillet kur vihet në sprovë, mbetet”, ka shkruar Osmani.
Në fund, ajo e ka cilësuar të rëndësishme edhe dëshminë e karakterit që, sipas saj, Sejdiu la pas pavarësisht se përpjekja politike nuk përfundoi me sukses.
“Prandaj, faleminderit Bekim, për gatishmërinë për t’i shërbyer Republikës dhe për dinjitetin që tregove deri në fund”, ka përfunduar Osmani.
