Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, në emër të institucioneve komunale, ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjen Bislimi, pas ndarjes nga jeta të Isuf Bislimit, i cili ka ndërruar jetë në vendin e tij të punës.
Në telegramin e ngushëllimit, Aliu i është drejtuar familjes me fjalë ngushëlluese, duke theksuar dhimbjen e thellë për këtë humbje dhe duke vlerësuar figurën e të ndjerit si një njeri të ndershëm, të urtë dhe punëtor.
“Isufi do të kujtohet gjithmonë për përkushtimin dhe sjelljen e tij të mirë, duke lënë gjurmë pozitive tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin”, thuhet ndër të tjera në telegram.
Telegram ngushëllimi për familjen Bislimi:
E nderuara familje Bislimi,
Me pikëllim të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Isuf Bislimit, i cili humbi jetën në vendin e tij të punës. Ai do të kujtohet gjithmonë si një njeri i ndershëm, i urtë dhe punëtor, që me përkushtimin dhe sjelljen e tij la gjurmë të mira tek të gjithë ata që patën fatin ta njohin.
Isufi shquhej për qetësinë, maturinë dhe respektin ndaj të tjerëve, duke qenë shembull i një qytetari të denjë dhe një njeriu me vlera të larta njerëzore. Kujtimi për të do të mbetet i gjallë dhe i paharruar në mesin e familjarëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të tij.
Në këto momente të rënda për ju, ndajmë dhimbjen dhe ju qëndrojmë pranë me mendje e zemër.
Shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen Bislimi, të afërmit, miqtë dhe të gjithë ata që e njohën të ndjerin.
Zoti e mëshiroftë!
Dr. Qemajl Aliu
Kryetar i Komunës së Shtimes
