Një 29-vjeçar ka humbur jetën këtë të martë, pasi pësoi lëndime të rënda gjatë punimeve në objektin ku po ndërtohet stacioni i ri policor në Zubin Potok,konfirmuar për Sinjalin,
Aksidenti dyshohet se ka ndodhur rreth orës 10:00, derisa viktima ishte duke punuar në kantierin e ndërtimit.
Shefi i Operacioneve të Policisë së Kosovës për Rajonin e Veriut, Erduan Baliçi, ka bërë të ditur se pas incidentit, bashkëpunëtorët e kanë dërguar 29-vjeçarin fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Zubin Potok.
Për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, ai është transportuar më pas me autoambulancë në Spitalin e Mitrovicës së Veriut.
Pavarësisht përpjekjeve për ta shpëtuar, i riu nuk ka arritur t’u mbijetojë lëndimeve dhe vdekja e tij është konfirmuar në spital.
“Rreth orës 10:00 në Zubin Potok, gjatë punimeve, ka ndodhur një aksident. Punëtori ishte duke punuar në punishten ku po ndërtohet stacioni policor në Zubin Potok”, ka deklaruar Baliçi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të aksidentit tragjik.
