Në akademinë përkujtimore të mbajtur në shënim të trevjetorit të rënies në krye të detyrës të rreshterit të Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar agresionin në Banjskë të Zveçanit të 24 shtatorit 2023, duke vlerësuar se Policia e Kosovës kishte parandaluar një përpjekje për shkëputjen dhe aneksimin e veriut të vendit nga Serbia.
Haxhiu u shpreh se institucionet e Kosovës kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë.
Haxhiu: Afrim Bunjaku me shokë parandaluan aneksimin e veriut të Kosovës nga Serbia
“Më 24 shtator të vitit 2023, në orët e para të mëngjesit, Afrim Bunjaku dhe kolegët e tij u nisën drejt Banjskës, pas njoftimit se hyrja e fshatit ishte bllokuar me dy kamionë. Ajo që i priste atje nuk ishte thjesht një incident i zakonshëm policor, por ishte një sulm terrorist i përgatitur paraprakisht nga një grup i organizuar dhe i armatosur rëndë me eksploziv, automatikë të blinduar dhe sasi të mëdha municioni. Institucionet tona kanë paraqitur dëshmi se pjesëtarët e atij grupi ishin trajnuar dhe përgatitur në Serbi dhe se pjesa më e madhe e armatimit vinte po ashtu prej Serbisë. Synimi nuk ishte vetëm sulmi ndaj Policisë së Kosovës, por shkëputja e një pjese të territorit të Republikës së Kosovës dhe bashkimi i saj me Serbinë. Këtë synim e ka konstatuar këtë vit edhe Gjykata Themelore në Prishtinë përmes aktgjykimit në rastin Banjska”, theksoi ajo.
Ajo ka folur edhe për përvojën e rreshterit Bunjaku në Policinë e Kosovës, duke theksuar se ai kishte 22 vjet përvojë në polici dhe 16 vjet shërbim si rreshter.
Haxhiu: Afrimi ra heroikisht, aneksimi i veriut tw Kosovës dështoi falë guximit të policisë
“Afrim Bunjaku kishte 22 vjet përvojë në Policinë e Kosovës dhe 16 vjet si rreshter. Kur arritën te bllokada, ai nuk i la policët më të rinj të shkonin para tij, doli vetë i pari. Në atë moment shpërtheu një mjet eksploziv. Afrimi dhe polici Alban Rashiti u plagosën, ndërsa menjëherë më pas ndaj policëve u hap zjarr. Nëntoger Mirsad Kryeziu arriti ta tërhiqte Afrimin nga vendi ku kishte mbetur i plagosur. Afrim Bunjaku ra atë mëngjes në krye të detyrës, por plani për të cilin ishte përgatitur ai sulm dështoi. Kolegët e tij vazhduan operacionin, Policia e Kosovës e mori situatën nën kontroll dhe pengoi grupin e armatosur që të merrte nën kontroll territor në veri të vendit. Përpjekja për shkëputjen dhe aneksimin e veriut dështoi falë guximit, falë profesionalizmit dhe falë vendosmërisë së Policisë së Kosovës”, u shpreh ajo.
