Presidenti amerikan, Donald Trump ka kërcënuar Iranin me sulme, ndërsa negociatat mes dy vendeve po vazhdojnë të dielën në qytetin Burgenstock në Zvicër.
Trump ka postuar në platformën e tij të mediave sociale Truth Social ku ka thënë se do e godasë Iranin nëse nuk i ndalë përfaqësuesit e tij në Liban.
“Irani duhet t’i ndalojë menjëherë përfaqësuesit e tij të paguar shumë në Liban që të shkaktojnë probleme. Nëse nuk e bëjnë këtë, ne do ta godasim Iranin shumë fort përsëri, ashtu siç bëmë javën e kaluar, vetëm më fort!!! Presidenti DONALD J. TRUMP”, ka shkruar Trump.
Komenti i tij vjen menjëherë pasi zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance, përshëndeti “progresin e madh” të bërë në orët e fundit, ndërsa dha përditësime mbi bisedimet e paqes SHBA-Iran që po zhvillohen sot në Zvicër.
Trump po i referohej Hezbollahut, i cili iu bashkua luftës në Lindjen e Mesme me sulme ndaj Izraelit.
Përplasjet e ditëve të fundit midis të dyve kanë kërcënuar të prishin marrëveshjen paraprake të paqes SHBA-Iran.
Sulmet izraelite në Libanin jugor të shtunën kanë lënë të vrarë të paktën 16 persona, thanë autoritetet lokale të cituara nga Guardian, pavarësisht raportimeve për një armëpushim të rinovuar që synon t’i japë fund përleshjeve të vazhdueshme.
Agjencia e mbrojtjes civile e Libanit tha se personeli i saj transportoi “16 të vdekur dhe 12 të plagosur” në spital, duke shtuar se ata kishin punuar “që nga orët e para të mëngjesit” në lagjen Nabatieh.
