Lajme

​Trump kërcënon të bombardojë urat dhe termocentralet nëse Irani nuk rifillon bisedimet

 

 

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka kërcënuar se javën e ardhshme do të godasë urat dhe termocentralet e Iranit nëse vendi nuk rikthehet në tryezën e bisedimeve.

Komentet e tij, të bëra në një intervistë për Fox News, u transmetuan ndërsa të dyja vendet po shkëmbenin sulme për të katërtën ditë radhazi, shkruan BBC, transmeton KosovaPress.

Më herët, Trump tërhoqi një kërcënim për vendosjen e një tarife prej 20% ndaj të gjitha ngarkesave që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit, por rifilloi bllokadën ndaj porteve iraniane.

“Javën e ardhshme gjërat do të bëhen shumë të këqija për ta,” tha Trump. “Do t’ua shkatërrojmë të gjitha termocentralet. Do t’ua shkatërrojmë të gjitha urat, nëse nuk ulen në tryezë për të negociuar.”

Qysh në prill, Trump kishte kërcënuar se do të bombardonte infrastrukturën civile në Iran, përfshirë urat dhe termocentralet.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Volker Türk, reagoi në atë kohë duke deklaruar: “Sipas së drejtës ndërkombëtare, sulmet e qëllimshme ndaj civilëve dhe infrastrukturës civile përbëjnë krime lufte.”

Konventat e Gjenevës të vitit 1949, që rregullojnë të drejtën humanitare gjatë konflikteve të armatosura, ndalojnë sulmet ndaj objekteve që konsiderohen jetike për popullsinë civile.

Të Ngjashme