Një 46-vjeçar nga Prishtina ka kaluar momente të vështira në ujërat pranë Velipojës, pasi skafi me të cilin lundronte pësoi defekt dhe mbeti i bllokuar larg bregut.
Pas njoftimit të marrë, Policia Kufitare nisi menjëherë kërkimet për lokalizimin e mjetit lundrues.
Në operacion u përfshinë edhe operatorë turistikë të zonës, pasi fillimisht nuk dihej vendndodhja e saktë e skafit.
Pas disa kërkimeve, mjeti lundrues u gjet në thellësi të lumit Buna, rreth 32 kilometra larg grykëderdhjes.
Sipas policisë, skafi tip “Morea” drejtohej nga shtetasi A.B., 46 vjeç, banues në Prishtinë, i cili kishte mbetur në vështirësi për shkak të një defekti në motor.
Shërbimet e Policisë Kufitare i dhanë ndihmën e nevojshme dhe bënë të mundur kthimin e sigurt të tij dhe të mjetit lundrues në vendstacionimin e mjeteve lundruese në Pulaj të Velipojës.
Policia Kufitare apelon që në raste emergjente qytetarët dhe turistët të telefonojnë në numrin 112.
