ktori i njohur shqiptar Robert Ndrenika ka reaguar pas kritikave dhe komenteve të shumta që mori në rrjet, pasi u shfaq në seancën gjyqësore të Erion Veliaj, ku e përqafoi dhe e puthi publikisht.
Në një prononcim telefonik, Ndrenika u shpreh se lidhja me Veliajn është shumë më tepër se miqësi, duke e konsideruar atë si “bir për shpirt”.
“Po pse reagojnë kështu? Njeriu i di vetë gjërat e tij. E kam djalë të adoptuar. Ia njoh jetën mirë dhe ma njeh jetën mirë. E kam si djalin tim”, është shprehur aktori.
Ndrenika tregoi se kishte vendosur të merrte pjesë në seancë menjëherë sapo ishte njoftuar nga njerëz të afërt të Veliajt, pa hezituar aspak.
“Më lajmëruan njerëz të afërt të Erionit se ishte seanca dhe më pyetën nëse doja të shkoja. Shkova pa u menduar dy herë”, tha ai.
Aktori theksoi se do të ishte sërish pranë Veliajt nëse ai do të kishte nevojë, ndërsa nënvizoi se marrëdhëniet njerëzore nuk kufizohen vetëm te lidhjet biologjike.
“E kam bir për shpirt. Nëse do të ketë sërish nevojë, prapë do të jem aty. Njeriu nuk ka të afërm vetëm prindërit apo fëmijët, por edhe njerëz që i zgjedh vetë gjatë jetës”, deklaroi Ndrenika.
Gjatë reagimit të tij, ai vlerësoi edhe punën e Veliajt për projektin e teatrit të ri në kryeqytet, duke thënë se realizimi i tij është një ëndërr e kahershme për artistët shqiptarë.
“Erioni realizoi një ëndërr të madhe timen dhe të shumë artistëve: një teatër të madh, modern dhe dinjitoz në qendër të Tiranës”, u shpreh aktori.
