Ads: Merr BB VIP Falas me Premium 12 Mujore

Lajme

Ugljanin thotë se ka stagnuar procesi i peticionit për largimin e kryetarit nga Komuna e veriut

 
   

Nënkryetari i Komunës së Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin, tha se procesi i organizimit të peticionit për largimin e kryetarit të kësaj komune aktualisht ka stagnuar, pasi sipas tij nuk ka marrë ende përgjigje nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Ugljanin, në një intervistë në emisionin “Ditari” në Tëvë1, tha se sipas Udhëzimit Administrativ, ai tashmë duhet të marr përgjigje përveç Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, për fillimin procedurave tjera për organizimin e nënshkrimit të këtij peticioni.

“Nuk kemi marrë por sigurisht këto ditët në vijim do të marr përgjigjen edhe nga MAPL për atë dhe nuk po i marr hapat konkrete sepse i bie pastaj që unë po e regjistroj grupin punues për organizmin e peticionit. Nuk do të vazhdoj me hapa tjerë derisa të marr përgjigjen nga Ministria”, tha Ugljanin.

Ai shtoi se nuk ka pas asnjë bisedë me grupin punues i cili do të nis procedurat për organizmin e këtij peticioni, andaj tha se këtë e quan stagnim.

“Nuk kam pas asnjë bisedë me grupin iniciues dhe për atë dua të them që është një stagnim sepse unë nuk do të marr hapat konkrete derisa grupi nismëtar nuk regjistrohet sepse aty duhet me kryesues me pas edhe bashkëpunim për vendin ku do të mbahet vendi i procesit të peticionit dhe materiali i obligueshëm që unë jam i obliguar ta kërkoj në KQZ”, u shpreh ai.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve gjatë ditës ka dalë me njoftim se e ka regjistruar grupin punues për inicimin e procedurave për organizimin e peticionit për shkarkimin e kryetarit të Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, derisa një përgjigje sipas nënkryetarit të kësaj Komune, Nexhat Ugljanin, nuk e ka marrë edhe nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.