Kur përballen me kritika dhe pakënaqësi publike, politikanët kanë dy rrugë: t’u përgjigjen argumenteve ose t’i minimizojnë ato. Kryeministri Edi Rama duket se zgjodhi të dytën, duke i cilësuar protestat e fundit si produkt të “histerisë kolektive” të nxitur nga rrjetet sociale.
Më tej, ai ironizoi pjesëmarrjen e shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke i paraqitur me sarkazëm si njerëz që po vijnë për të “shpëtuar Shqipërinë”.
“Shteti ndërtohet duke mos e humbur drejtimin e historisë. Kam pasur shumë mesazhe sikur më ka shkuar ndërmend të jap dorëheqjen. Se gjithmonë e më shumë njerëzit fillojnë, shohin që kjo është diçka që nuk rri as në qiell, as në tokë. Nuk mundet dot asnjë shqiptar i arsyeshëm që të pranojë që Tirana të bëhet një territor sfilate për një turmë që shkon të bllokojë aeroportin. Nuk e pranon dot askush këtë. Natyrisht, tërheqja pak nga pak e syve të atyre që shkuan atje për të dalë në skenë dhe mbetja e një grupi ku ka një përzierje të hatashme dhe është një përzierje mbarëkombëtare. Vijnë njerëz nga Kosova, nga Maqedonia, për të shpëtuar Shqipërinë në emër të shqiptarëve. Ujërijnë të mblidhet këtu kombi”, u shpreh mes tjerash Rama në reagimin e tij publik.
Në vend që ta shihte pjesëmarrjen e tyre si dëshmi të lidhjes kombëtare dhe interesit për çështje që prekin mbarë kombin shqiptar, kryeministri i Shqipërisë zgjodhi rrugën e talljes dhe sarkazmës. Një qëndrim që ngre pikëpyetje serioze jo vetëm për mënyrën se si ai e sheh protestën, por edhe për mënyrën se si e kupton vetë konceptin e solidaritetit kombëtar.
Por çfarë realisht fshihet pas këtij ironizimi? A po nënvlerëson Rama të drejtën e shqiptarëve kudo që jetojnë për të shprehur solidaritet dhe shqetësim për zhvillimet në Shqipëri?
Ndoj: Rama i frikësuar nga uragani i protestës
E në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” foli opinionisti nga Shqipëria, Llesh Ndoj, i cili u shpreh se reagimet e Ramës nuk kanë asnjë dallim nga reagimet e autokratëve në të gjithë botën.
Sipas tij, qëllimi i Ramës me deklaratat e fundit kundër shqiptarëve të Kosovës dhe Maqedonisë është t’i ngatërrojë shkaqet me mjetet e protestës.
“Së pari, më lejo të them se reagimi i Ramës ndaj protestës në tërësinë e saj, nuk ka asnjë ndryshim nga reagimet e autokratëve në të gjithë botën e në të gjitha kohërat. Cili është thelbi? Ngatërrimi me dashje i shkaqeve me mjetet dhe format e organizimit, për t’ua ulur atyre peshën e rëndësinë e për të përjashtuar veten nga përgjegjësia”.
Krahas kësaj, Ndoj konsideron se e gjithë protesta lidhet me arrogancën e Ramës dhe se shqiptarët e Kosovës janë të mirëpritur kur bëhet fjalë për çështje kombëtare.

Llesh Ndoj
“Tani vijmë pak më konkretisht. Protesta aktuale ka si shkak arrogancën dhe shurdhërinë e Ramës dhe të klasës së tij autokrate qeverisëse, ndonëse mbetet e larme në pjesëmarrje, në parulla e në rrugëdalje. Sa u takon pjesëmarrjes së kosovarëve, apo shqiptarëve, jo shtetas të Shqipërisë, edhe pse në parim ato janë gjithnjë të mirëpritura, sidomos kur kanë të bëjnë me çështje kombëtare, kur kanë të bëjnë me “poshtë ky e lart ai”, ndoshta nuk janë me efektin e duhur”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, opinionisti tha se Rama është i frikësuar nga uragani i protestës dhe se lëvizjet dhe talljet e tij vetëm po vënë në pah dobësitë e tij.
“Megjithatë, Kryeministri, duke mos qenë i qetë, ndoshta edhe i frikësuar dukshëm nga uragani i protestës që për shkak të faktit se Shqipëria është e duhet të mbetet epiqendra e projektit kombëtar shqiptar, bashkëkombasit do të duhet t’i kishte trajtuar më me respekt, ashtu si të gjithë protestuesit e tjerë.
Lëvizjet si klloun, sarkazma, talljet, etiketimet vetëm sa tregojnë dobësinë e tij dhe ia shtojnë karburantin protestës”, përfundoi Ndoj për “Bota sot”.
Kapiti: Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë shqiptarë dhe patriotë
Ndërsa, edhe publicisti Skënder Kapiti kundërshtoi deklaratën e fundit të Ramës, sa i përket protestave në Shqipëri.
Madje, ai kritikoi ashpër Ramën dhe partinë e tij, duke e akuzuar se kanë shfrytëzuar dhe Shqipërinë dhe interesat kombëtare për pushtetin dhe lavdinë personale.
“Protestat e rinisë, qytetarisë dhe diasporës në Shqipëri nuk janë protesta, siç i ka komentuar Rama, si tendencë për krijimin e “histerisë kolektive” dhe për kërkim të vëmendjes publike. Kështu i etiketon ky sharlatan, të cilit, sipas kritikëve të tij, nuk mund t’i thuash kryeministër, por antihuman, antishqiptar dhe zullumqar. Protestat rinore dhe kombëtare po i tregojnë jo vetëm opinionit mbarëshqiptar, por edhe atij botëror, bëmat dhe atë që ky kryeministër i ka bërë kombit dhe shtetit të vet.
Edi Rama nuk je fajtor për këtë vetëm ti, por edhe Partia Socialiste e Shqipërisë që të zgjodhi në krye të saj dhe që më pas të dha katër mandate për pushtet. Rama, pushteti dhe partia jote të kanë ngritur një lavdi të rreme dhe ke fituar mbështetje te diplomacia evropiane duke spekuluar, shtypur, shfrytëzuar dhe përdorur Shqipërinë dhe interesat kombëtare për pushtetin dhe lavdinë personale.

Skënder Kapiti
Madje, sipas kritikëve të tu, si antishqiptar ke fituar respekt edhe te armiqtë historikë të shqiptarëve. Ke qenë dhe je sjellë me djallëzi e hipokrizi kundër agjendave kombëtare dhe në shërbim të atyre antishqiptare, duke përdorur e shfrytëzuar pushtetin. Mbi dëmet, rrënimet dhe vuajtjet e shqiptarëve të shkaktuara nga klika jote dhe nga Partia Socialiste, ke ngritur “personalitetin” tënd”, deklaroi ai.
Po ashtu, Kapiti në prononcimin e tij për “Bota sot” u shpreh i bindur se protestat e fundit në Tiranë do e largojnë Ramën nga pushteti, pasi vlerëson se qytetarët e kanë kuptuar lojën dhe politikën e tij antishqiptare.
“Këto protesta jo vetëm që do ta largojnë Ramën nga pushteti, por po i vulosin atij edhe damkën e një kryeministri të konsideruar nga kundërshtarët e tij si ndër më antishqiptarët në histori.
Edi Rama dhe Partia Socialiste e tij, sipas protestuesve, nuk i kanë bërë dëm askujt tjetër përveç shqiptarëve.
Populli e ka etiketuar atë, politikën dhe pushtetin e tij, si edhe njerëzit rreth tij, si hajdutë dhe tradhtarë. Në protestë është dënuar e gjithë politika e vjetër e tranzicionit 35-vjeçar. Rama dhe ekipi i Rilindjes, bashkë me lukuninë e letrarëve injorantë e servilë dhe me mediat e shitura, nuk lanë etiketim pa u vënë protestuesve: herë si të nxitur nga Greqia, Serbia, Rusia apo Irani, ndërsa tani përdorin edhe ironizime ndaj shqiptarëve nga Kosova dhe Maqedonia që tregojnë solidaritet me protestuesit”.
Tutje, publicisti foli edhe për qasjen e kryeministrit të Shqipërisë ndaj Kosovës, ku tha se më shumë ka marrë vendime kundër saj e në favor të Serbisë.
Madje, e kritikoi me theks të veçantë për mbështetjen që ia ka bërë projektit për ndarjen e Kosovës dhe “Ballkanit të Hapur”.
“Edi Rama, karshi Kosovës, nuk ka dhënë vetëm “mesazhe”, por, sipas kritikëve të tij, ka ndërmarrë edhe veprime, sjellje e madje “projekte” kundër interesave të Kosovës dhe të shqiptarëve, si dhe në favor të Serbisë. Ai është akuzuar se ka mbështetur ndarjen e Kosovës dhe projektin e Mini-Shengenit, të cilin kundërshtarët e konsiderojnë të dëmshëm për Kosovën dhe Shqipërinë.
Ai, sipas kritikëve, asnjëherë nuk ka kritikuar presidentin serb dhe as politikën e Beogradit për veprimet e tyre destabilizuese ndaj Kosovës, për mbështetjen dhe financimin e grupeve kriminale dhe terroriste serbe në Kosovë.
Ka qenë, sipas kundërshtarëve të tij, avokat i presidentit të Serbisë sa herë që Bashkimi Evropian ka kritikuar dhe dënuar Beogradin në lidhje me provokimet dhe kërcënimet ndaj territorit të Kosovës”, nënvizoi ai për “Bota sot”.
Në vazhdim, Kapiti vlerësoi lart protestuesit nga Kosova e Maqedonia e Veriut, ku tha se me të drejtë ata marrin pjesë në protesta dhe nuk qëndrojnë indiferentë ndaj zhvillimeve të fundit.
Në këtë pikë, kërkoi nga Rama që të paktën të japë dorëheqje pas gjithë atyre gjërave që ia ka shkaktuar shtetit shqiptar.
“Shqiptarët e Kosovës dhe të Maqedonisë janë shqiptarë dhe patriotë, të cilët nuk mund të qëndrojnë indiferentë ndaj asaj që ndodh në Shqipëri dhe ndaj këtyre protestave madhore e patriotike që po zhvillohen në Tiranë, pavarësisht nëse kjo i pëlqen apo jo Edi Ramës.
Edi Ramës, të cilin një media dhe disa figura evropiane, sipas autorit, e kanë etiketuar si “kryeministrin serb më të mirë pas Pashiqit”, i kërkohet të japë dorëheqjen.
Rama duhet të japë dorëheqjen si minimum i një llogaridhënieje para qytetarëve dhe Shqipërisë, dhe të largohet nga pushteti, sepse kundër tij është ngritur edhe diaspora shqiptare, si dhe ata që kanë braktisur atdheun për shkak të politikave dhe qeverisjes së tij, të cilat kundërshtarët i konsiderojnë të korruptuara dhe të kriminalizuara.
Tani atij, sipas kritikëve, i janë konsumuar edhe batutat dhe retorika e tij, si e një gjeli mbi grumbullin e korrupsionit të qeverisë dhe të ekipit të Rilindjes. Edhe bashkëpunëtorët e tij, sipas protestuesve, janë lodhur duke e dëgjuar”, theksoi ai.
Në fund, publicisti kërkoi që të merren parasysh thirrjet e protestuesve në Tiranë dhe që Rama të largohet përfundimisht nga pushteti.
“Shikoje dhe dëgjoje popullin dhe sovranin që proteston çdo ditë në Tiranë, në qytetet e Shqipërisë dhe në kryeqytetet e Evropës kundër jush dhe kundër regjimit që protestuesit e konsiderojnë korruptiv dhe antishqiptar. Përgjigju para protestuesve dhe kauzave të tyre: “Shqipëria e shqiptarëve, jo e tradhtarëve” dhe “Shqipëria nuk është në shitje”. Dhe ti e kupton se kush është tradhtari dhe kush bën pazare me trojet shqiptare.
Mirëpo, shqiptarët në Shqipëri asnjëherë nuk protestuan dhe as nuk e kundërshtuan kryeministrin e tyre kur ai ndërhynte në punët e Kosovës pa qenë i autorizuar nga ndokush në Kosovë. Po ashtu, nuk reaguan kur ai sillej dhe vepronte haptazi, sipas kritikëve të tij, në dëm të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Kosovës”, përmbylli Skënder Kapiti për “Bota sot”.
