Pjesa më e madhe e Evropës Perëndimore po përballet me një valë të të nxehtit, ndërsa meteorologët paralajmërojnë se temperaturat do të vazhdojnë të rriten në ditët në vijim, duke rrezikuar thyerjen e rekordeve të reja historike, raportoi “RTE News”.
Franca është ndër vendet më të prekura. Qindra shkolla kanë ndryshuar oraret e mësimit për t’u përshtatur me temperaturat e larta, ndërsa parashikuesit e motit kanë paralajmëruar për një valë të nxehti “intensive dhe afatgjatë”.
Në rajonin e Parisit temperaturat mund të kalojnë për herë të parë, pragun e 40°C gjatë muajit qershor.
Sipas vlerësimeve, më shumë se gjysma e popullsisë franceze po përballet me temperatura përvëluese.
Rreth 41 milionë banorë janë nën alarmin portokalli, të shpallur nga shërbimi meteorologjik, niveli i dytë më i lartë i rrezikut.
Meteorologët u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal, duke theksuar se kushtet ekstreme do të jenë të përhapura, të zgjatura dhe me intensitet të lartë.
Presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi “vigjilencë të madhe”, duke u bërë apel qytetarëve të kujdesen veçanërisht për të moshuarit dhe grupet më të rrezikuara.
Ndërkohë, ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, paralajmëroi të rinjtë të shmangin konsumimin e tepërt të alkoolit dhe aktivitetet e rënda fizike, në prag të festivalit kombëtar të muzikës “La Fête de la Musique”, i cili zhvillohet këtë fundjavë dhe mbledh miliona njerëz në rrugët e Francës.
Franca sapo ka përjetuar pranverën më të nxehtë, që nga fillimi i regjistrimeve meteorologjike në vitin 1900, me temperatura mesatare rreth 1,7°C mbi normat sezonale.
Edhe vende të tjera evropiane po përballen me kushte ekstreme.
Në Gjermani janë lëshuar paralajmërime për stuhi të forta, breshër dhe reshje intensive gjatë fundjavës.
Në Britaninë e Madhe, meteorologët konfirmuan se Anglia dhe Uellsi kanë regjistruar pranverën më të nxehtë në histori, ndërsa ekziston një mundësi prej 40% që të thyhet rekordi i temperaturës më të lartë, të regjistruar ndonjëherë, në një ditë qershori.
Alarmet janë ngritur gjithashtu në Spanjë, Zvicër, Itali dhe vende të tjera të Evropës Perëndimore, ku autoritetet po përgatiten për një periudhë të zgjatur të temperaturave ekstreme.
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike, të shkaktuara nga aktiviteti njerëzor, po i bëjnë valët e të nxehtit, thatësirat dhe përmbytjet më të shpeshta dhe më intensive, transmeton ATSh.
Sipas ekspertëve, rekordet e temperaturave po thyhen gjithnjë e më shpesh, ndërsa episodet e motit ekstrem po bëhen pjesë e realitetit të ri klimatik.
