Në seancën fillestare të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Hashim Rexhepi u deklarua i pafajshëm se në cilësinë e drejtorit të poligonit dhe instruktorit, nuk veproi sipas rregullave, ku pasi u pajis me armë L.S., gjatë monovrimit me të qëlloi veten e si pasojë e lëndimeve vdiq.
Rexhepi i cili po akuzohet për veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, u deklarua i pafajshëm pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Fitore Sadikaj, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“I pafajshëm”, tha Rexhepi.
Më pas, gjyqtari i rastit, Ertan Sejfullah njoftoi të akuzuarin Rexhepi dhe mbrojtësin e tij, avokatin Fanol Krasniqi se brenda një afati prej 30 ditësh mund të paraqes kundërshtimet për provat dhe kërkesën për hedhjen e aktakuzës.
Sipas aktakuzës së ngritur më 15 maj 2026 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Hashim Rexhepi akuzohet se më 29 gusht 2025, rreth orës 19:20 në Prishtinë, derisa ishte në poligonin e shenjtërisë “Fazani-S” si drejtor dhe njëkohësisht edhe instruktor i poligonit, duke mos vepruar sipas rregullave, ka shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve.
Aktakuza thotë se si instruktor, duke e lënë tani të ndjerën L.S., dhe dëshmitarin A.R., që të pajisen me armë zjarri dhe municion, dhe të njëjtit kishin hyrë në pjesën e poligonit ku zhvillohet gjuajtja, pa mbikëqyrjen e tij, ku si pasojë e kësaj, tani e ndjera L. S., gjatë manovrimit me armë qëllon veten në pjesën e abdomenit duke i shkaktuar vetes lëndime të rënda trupore dhe si pasojë e njëjta rreth orës 21:05 ndërron jetë në QKUK në Prishtinë,
Me këtë, i akuzuari Hashim Rexhepi po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356, par.2 lidhur me par. 5 të Kodit Penal.
