Lajme

Vdekja e punëtorëve në KEK, BSPK: Dhimbja e familjeve të mos instrumentalizohet

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK) ka reaguar pas vdekjes tragjike të katër punëtorëve të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), duke shprehur ngushëllime për familjet, kolegët dhe gjithë punëtorët e KEK-ut.

Në një komunikatë për media, BSPK-ja ka bërë thirrje që tragjedia të mos përdoret për përplasje ndërmjet organizimeve sindikale apo sulme ndaj individëve.

BSPK ka kritikuar deklaratat e përfaqësuesve të Sindikatës së Re të KEK-ut, të cilët, sipas saj, kanë tentuar ta paraqesin BSPK-në dhe kryetarin e saj si të painteresuar për sigurinë dhe të drejtat e punëtorëve.

Sipas BSPK-së, fragmentarizimi sindikal e dobëson fuqinë përfaqësuese të punëtorëve, ndërsa përgjegjësia sindikale duhet të dëshmohet përmes punës së vazhdueshme për evidentimin e rreziqeve, përmirësimin e kushteve të punës dhe parandalimin e aksidenteve.

BSPK-ja ka sqaruar gjithashtu se organizimi sindikal nga i cili kanë ardhur deklaratat e fundit nuk është pjesë e saj prej më shumë se dy vjetësh dhe se përfaqësuesit e tij nuk kanë mandat të flasin në emër të BSPK-së.

Në komunikatë është kundërshtuar edhe cilësimi i kryetarit të BSPK-së si “i vetëquajtur”, duke theksuar se ai është zgjedhur me votën unanime të delegatëve të Kongresit IX të BSPK-së.

BSPK ka thënë se do të vazhdojë bashkëpunimin me Sindikatën e Pavarur të KEK-ut, Bordin Drejtues dhe menaxhmentin e korporatës, me synim përmirësimin e kushteve dhe sigurisë në punë dhe realizimin e kërkesave të punëtorëve.

“Punëtori nuk mbrohet duke e luftuar sindikalisti sindikalistin. Punëtori mbrohet kur fuqia e organizuar sindikale drejtohet kundër rrezikut, padrejtësisë dhe çdo kushti që cenon të drejtën për punë të sigurt, dinjitet dhe jetë”, thuhet në reagimin e BSPK-së.

Të Ngjashme