Lajme

Vdes gazetari serb që hetonte rastin e Oliver Ivanoviqit, ishte transferuar nga burgu në spital

Ka vdekur gazetari serb Stefan Cvetkovic cili po hetonte rastin e Oliver Ivanoviqit, politikanit serb në Kosovë i cili ishte vrarë në vitin 2018 në Mitrovicë të Veriut.

“Ai ishte duke vuajtur dënimin me burg. Për shkak të gjendjes shëndetësore, ishte shtruar në Akademinë Mjekësore Ushtarake (VMA).

Ai ishte i shtruar në këtë institucion shëndetësor që nga 24 qershori, pasi më parë kishte marrë trajtim në Spitalin Special të Burgut në Beograd. Të dhënat për trajtimin e të dënuarit, si dhe të gjitha të dhënat e tjera që ndodhen në kartelën e tij mjekësore, nuk mund t’i bëjmë publike, pasi mbrohen nga Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe ligje të tjera që rregullojnë të drejtat e pacientëve”, thuhet në përgjigjen e Drejtorisë për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale për portalin Nova.rs.

“Në përputhje me procedurat ligjore, janë njoftuar policia, prokuroria dhe familja e të ndjerit”, shtohet në deklaratë.

Cvetkoviq ishte themelues dhe kryeredaktor i televizionit TNT dhe i gazetës Belocrkvanske novosti.

Ai tërhoqi vëmendje të madhe të publikut në vitin 2018, kur u raportua zhdukja e tij në Bela Crkva.

Në atë kohë, policia njoftoi se automjeti i tij ishte gjetur me dyert e hapura dhe dritat e ndezura, pas së cilës u nis një operacion kërkimi. Ai u gjet pas një kërkimi policor që zgjati rreth 30 orë.

Gjatë karrierës së tij, ai shkroi për raste të ndjeshme, përfshirë vrasjen e Oliver Ivanovićit.

Në një periudhë të mëparshme, ai ishte dënuar në shkallë të parë me më shumë se dy vjet burg, pas padive të paraqitura nga zyrtarë të Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Më vonë, Gjykata e Lartë në Pançevë i shfuqizoi të tre aktgjykimet dhe i ktheu çështjet për rigjykim, siç kishte raportuar më herët CINS.

Në një video të publikuar nga burgu, Cvetkoviq kishte deklaruar se po përballej me pengesa për realizimin e një ndërhyrjeje kirurgjikale, duke akuzuar presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe vëllain e tij, Andrej Vuçiq, për ndikim në moslejimin e trajtimit të nevojshëm mjekësor.

Të Ngjashme