Lajme

Vëllai i Liridona Ademajt kërkon burgim i përjetshëm për të akuzuarit

Gjykata e Apelit ka mbajtur sot seancën e kolegjit, në të cilën u shqyrtuan ankesat kundër vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, vendim me të cilin Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla u shpallën fajtorë dhe u dënuan për vrasjen e Liridona Ademajt.

Pas seancës, Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt, ka kërkuar që vendimi i Gjykatës së Apelit në rastin e vrasjes së motrës së tij të jetë burgim i përjetshëm për të akuzuarit.

Pas seancës së sotme, Ademaj u ka shprehur ngushëllime familjes së Arlinda Zekajt, duke thënë se e kupton dhimbjen e tyre.

Leonard Ademaj: Ne i mbrojmë gratë, ne i mbrojmë motrat dhe nënat tona

“Edhe pse seanca është për motrën tonë, dua t’i shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Arlindës, Arlinda Zekajt. Ne e kuptojmë dhimbjen e tyre. Ajo çfarë pamë sot ne në këtë seancë nuk ishte e hijshme as për ju, as për ne dhe as për njerëzit të cilët na shohin. Sepse sot gjykata mundi të thotë të vërtetën dhe mund t’i lërë edhe mediat dhe të krijojë atë bindjen se ne i mbrojmë gratë, ne i mbrojmë motrat dhe nënat tona”, ka thënë ai.

Ademaj ka theksuar se pret që vendimi të jetë me burgim të përjetshëm për të akuzuarit.

Ademaj: Presim burg të përjetshëm për Naim Murselin

“Pra, ne presim që vendimi të jetë i ai si për Naimin si dhe Granitit me burgim të përjetshëm, ndërsa shpresojmë shumë që këtij vendimi t’i bashkëngjitet edhe Kushtrimi me burgim të përjetshëm”, tha ai.

Në fund, ai ka falënderuar mediat për mbështetjen e vazhdueshme ndaj familjes duke thënë që lufta kundër femicidit duhet të merr fund njëherë e përgjithmonë.

Kujtojmë, Liridona Ademj u vra në nëntor 2023, në një rrugë në fshatin Bërrnicë të Prishtinës. Me aktgjykimin e datës 21 prill 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim.

Të Ngjashme