Veprimtari dhe publicisti, Saim Tahiraj, ka deklaruar se gjasat që gjashtë deputetët e LDK-së, të cilët janë kundër marrëveshjes aktuale në mes të Kurtit dhe Abdixhikut, të ndryshojnë qëndrim dhe të votojnë pro saj, janë minimale.
Sipas Tahirajt, kjo situatë nuk ka ardhur rastësisht, ndërsa përgjegjësinë politike për të e sheh te veprimet e kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Gjasat që gjashtë deputetët e LDK-së, të cilët janë kundër marrëveshjes aktuale në mes të Kurtit dhe Abdixhikut, të ndryshojnë qëndrim dhe të votojnë pro saj, janë minimale”, ka thënë Tahiraj.
Ai ka vlerësuar se kjo situatë është krijuar si pasojë e, siç e quan ai, veprimeve kryeneçe të kryetarit Abdixhiku, pa konsultime paraprake dhe pa një diskutim të mirëfilltë me të gjithë deputetët e LDK-së.
“Kjo situatë nuk ka ardhur rastësisht. Veprimet kryeneçe të kryetarit Abdixhiku, pa konsultime paraprake dhe pa një diskutim të mirëfilltë me të gjithë deputetët e LDK-së, e kanë sjellë partinë në një situatë të panevojshme dhe kritike”, është shprehur ai.
Tahiraj ka thënë se mosdiskutimi, moskonsultimi dhe, mbi të gjitha, mosarritja e një konsensusi me deputetët dhe strukturat e LDK-së, janë përgjegjësi politike që nuk mund të anashkalohen.

Saim Tahiraj
“Mosdiskutimi, moskonsultimi dhe, mbi të gjitha, mosarritja e një konsensusi me deputetët dhe strukturat e LDK-së, janë përgjegjësi politike që nuk mund të anashkalohen. Kryetari i LDK-së duhet të jetë figurë unifikuese, jo përçarëse; urë lidhëse, jo burim konfliktesh brenda partisë”, ka deklaruar Tahiraj.
Ai ka kritikuar edhe akuzat publike ndaj gjashtë deputetëve të LDK-së, të bëra në emisione televizive dhe para gazetarëve.
“Akuza publike ndaj këtyre gjashtë deputetëve, të bëra në emisione televizive dhe para gazetarëve, nuk janë në frymën dhe kulturën politike të LDK-së. Aq më pak i kanë hije një kryetari të LDK-së, i cili duhet të karakterizohet nga maturia, urtësia politike dhe aftësia për të bashkuar njerëzit rreth vendimeve të rëndësishme”, ka thënë ai.
Sipas Tahirajt, deputetët janë të zgjedhur të popullit dhe kanë mandat, përgjegjësi dhe të drejtë të votojnë sipas bindjeve të tyre politike dhe ndërgjegjes së tyre.
“Deputetët janë të zgjedhur të popullit. Ata kanë mandat, përgjegjësi dhe të drejtë të votojnë sipas bindjeve të tyre politike dhe ndërgjegjes së tyre. Deputeti nuk është pronë e kryetarit të partisë dhe mandati i tij nuk mund të shndërrohet në bindje ndaj diktatit apo censurës partiake”, ka theksuar Tahiraj.
Prandaj, ai e ka cilësuar politikisht të papranueshme përpjekjen për t’i etiketuar gjashtë deputetët si “bllokues” të procesit të ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës.
“Prandaj, përpjekja për t’i etiketuar këta gjashtë deputetë si ‘bllokues’ të procesit të ndërtimit të institucioneve të Republikës së Kosovës është politikisht e papranueshme. Ata po e ushtrojnë mandatin e tyre dhe po votojnë në përputhje me bindjet e tyre”, ka deklaruar ai.
Tahiraj ka rikujtuar se Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, prej të cilëve 100 janë shqiptarë, duke thënë se përgjegjësia për funksionimin e institucioneve është përgjegjësi e të gjithëve.
“Kuvendi i Kosovës ka 120 deputetë, prej të cilëve 100 janë shqiptarë. Përgjegjësia për funksionimin e institucioneve është përgjegjësi e të gjithëve. Por përgjegjësinë kryesore politike e ka subjekti që ka dalë i pari në zgjedhje dhe që ka përgjegjësinë për të krijuar shumicën dhe për të ndërtuar institucionet”, ka thënë Tahiraj.
“Këtë tashmë nuk ka nevojë t’ua shpjegosh vetëm analistëve e politikanëve. Po e kuptojnë edhe fëmijët”, ka përfunduar ai.
