Nëntë persona janë arrestuar në Zubin Potok, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se arrestimet janë realizuar në kuadër të operacionit të koduar “Dosja 23”, i zhvilluar nga Policia e Kosovës, përkatësisht Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me njësitë tjera të specializuara.
Operacioni është zhvilluar me urdhër të Prokurorisë Speciale dhe lidhet me rastin e njohur si “Grupi i intelektualëve”.
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, ka reaguar pas arrestimit të nëntë personave në Zubin Potok, të dyshuar për “krime lufte kundër popullsisë civile”.
Salihaj ka përshëndetur aksionin e Policisë së Kosovës në veri, duke thënë se kjo pjesë e vendit tashmë është nën kontrollin e institucioneve të Kosovës.
“Veriu më nuk është tokë e askujt, veriu është tokë e Kosovës.
Mjaft është mjaft, nuk ka më amnesti dhe falje të kriminelëve, të cilët kanë kryer masakra ndaj popullatës së pambrojtur të Kosovës.
Duhet përgëzuar Policinë e Kosovës, i lumtë për aksionet dhe punën e jashtëzakonshme që po bën në këtë pjesë të Kosovës”, ka thënë ai.
