Lajme

​Vita kërkon publikimin e analizave, ja reagimi Ministrisë së Bujqësisë

Qumështorja Vita ka kërkuar sërish publikimin e rezultateve të analizave të mostrave të qumështit, duke akuzuar Ministrinë e Bujqësisë dhe Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) për vonesa, ndërsa Ministria ka reaguar duke mohuar se ka premtuar publikimin e tyre më 13 korrik dhe ka bërë të ditur se raporti përfundimtar do të publikohet jo më vonë se 27 korriku.

Në një deklaratë për media, Vita rikujton se më 6 korrik kishte njoftuar rifillimin e grumbullimit të qumështit nga fermerët, pasi, sipas saj, gjatë një takimi me ministrin Faton Peci Muja dhe përfaqësues të AUV-së ishte premtuar se rezultatet e analizave do të publikoheshin deri më 13 korrik.

Kompania thotë se, megjithëse kanë kaluar më shumë se dy javë nga marrja e mostrave më 2 korrik, rezultatet ende nuk u janë dorëzuar dhe nuk janë bërë publike.

“Ne i dimë rezultatet, sepse e dimë se çka përpunojmë dhe punën si e bëjmë. Rezultatet nuk mund të jenë ndryshe, përveçse 100% qumësht”, thuhet në reagimin e Vitës, e cila kërkon publikimin urgjent të analizave, duke theksuar se fermerët “nuk meritojnë heshtje” dhe qytetarët “nuk meritojnë paqartësi”.

Nga ana tjetër, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka kundërshtuar pretendimet e kompanisë, duke sqaruar se nuk ka bërë asnjë zotim publik apo zyrtar që rezultatet do të publikoheshin më 13 korrik.

Sipas ministrisë, analizat laboratorike janë vetëm një pjesë e procedurës së kontrollit zyrtar dhe para publikimit të përfundimeve duhet të përfundojnë verifikimet administrative, teknike dhe ligjore.

“Publikimi i rezultateve të pjesshme ose i analizave të veçuara para përfundimit të procedurës zyrtare do të ishte në kundërshtim me parimet e kontrollit zyrtar dhe do të mund të çonte në keqinterpretim të gjetjeve”, thuhet në reagimin e ministrisë.

MBPZhR njofton se i ka kërkuar Kryeshefit Ekzekutiv të AUV-së përshpejtimin e procedurës dhe se raporti përfundimtar do të dorëzohet jo më vonë se 27 korriku 2026. Sipas ministrisë, nëse analizat dhe verifikimet përfundojnë më herët, raporti do të publikohet para këtij afati.

Ministria shton se nuk do të komentojë pretendimet e operatorëve ekonomikë derisa procedura zyrtare të përfundojë, duke theksuar se vetëm raporti përfundimtar i hartuar nga autoriteti kompetent përbën bazën ligjore për vlerësimin e përputhshmërisë së produkteve me legjislacionin në fuqi.

Debati mes kompanisë Vita dhe institucioneve vjen pas inspektimit dhe marrjes së mostrave në qumështoren disa ditë më parë. 

Të Ngjashme