Lajme

Vrasja e 13-vjeçares shqiptare në Itali, ish-i dashuri pranon krimin: E shtyva nga ballkoni

Ish-i dashuri i 13-vjeçares shqiptare Aurora Tila ka pranuar se ishte ai që e vrau të miturën, duke e shtyrë nga ballkoni i banesës më 25 tetor 2024 në qytetin italian të Piacenzës, transmeton albinfo.ch.

Sipas mediave italiane, 17-vjeçari, i cili ishte 15 vjeç në kohën kur ndodhi ngjarja, ndryshoi dëshminë e tij gjatë seancës në Gjykatën e Apelit, duke hequr dorë nga pretendimet e mëparshme për pafajësi dhe duke pranuar autorësinë e krimit.

I mituri ishte dënuar me 17 vjet burg nga gjykata e shkallës së parë vitin e kaluar. Gjatë seancës, ai u paraqit përmes një lidhjeje me video nga burgu për të mitur në Catanzaro.

Përveç pranimit të fajësisë, 17-vjeçari kërkoi falje për veprimin e tij dhe për faktin që priti kaq gjatë për ta pranuar krimin.

Ndërkohë, Gjykata ka urdhëruar hartimin e një raporti mbi sjelljen e tij në institucionin korrektues, pasi ndaj tij janë raportuar edhe denoncime për vepra të tjera.

Avokati Emilio Malaspina, i cili përfaqëson nënën e Aurora Tilës, deklaroi se rrëfimi i të akuzuarit i jep fund një kapitulli të dhimbshëm, por shprehu shpresën se Gjykata e Apelit do të lërë në fuqi vendimin e shkallës së parë.

“Me rrëfimin, një rreth mbyllet. Por shpresojmë që Gjykata do të mbështesë vendimin e shkallës së parë, i cili vendosi një dënim të përshtatshëm”, tha ai.

Seanca e radhës gjyqësore është caktuar të mbahet më 10 shtator.

Të Ngjashme