Platforma qytetare “Liria Ka Emër” falënderon nga zemra rreth 100 mijë qytetarë që sot iu bashkuan Marshit për Liri në Prishtinë, duke e shndërruar kryeqytetin në një zë të fuqishëm për lirinë, drejtësinë dhe të vërtetën e luftës çlirimtare të Kosovës.
Në një njoftim të “Liria ka Emër”, thuhet se qytetarë nga të gjitha trojet shqiptare, nga çdo komunë e Kosovës, si dhe bashkatdhetarë nga diaspora, marshuan sot së bashku, pa dallime, me një mesazh të vetëm: Liri për çlirimtarët!
“Falënderojmë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, bashkëluftëtarët, qytetarët, diasporën, artistët, sportistët, përfaqësuesit politikë, organizatat, bizneset, mediat, vullnetarët dhe secilin që kontribuoi që ky marsh të ishte një manifestim i madh, paqësor dhe dinjitoz”, thuhet në reagim.
Sipas njoftimit, sot Kosova dëshmoi edhe një herë se kur bëhet fjalë për lirinë, për UÇK-në dhe për njerëzit që morën përgjegjësinë për vendin në ditët më të vështira të historisë sonë, ne dimë të bëhemi bashkë.
në fund thuhet se marshi i sotëm ishte një mesazh i fuqishëm solidariteti me Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, por mbi të gjitha ishte një mesazh për të vërtetën, drejtësinë dhe historinë e Kosovës.
