Analisti politik Idriz Zeqiraj vlerëson se Lëvizja Vetëvendosje ka numër të madh anëtarësh dhe kuadro që mund të ushtrojnë funksione të larta shtetërore, përfshirë edhe postin e Presidentit të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, mënyra e organizimit të partisë bën që shumë prej tyre të mos jenë të njohur për publikun.
“Është e vërtetë që Vetëvendosje aktualisht ka mbi 30 mijë anëtarë. Në mesin e tyre ka kuadro që meritojnë poste të larta pushtetare dhe shtetërore, përfshirë edhe postin e Presidentit të Republikës së Kosovës. Por, LVV është një organizim shumë specifik dhe paraqitjet publike janë të kufizuara, pasi funksionon si një sistem i centralizuar partiak, ndaj kuadrot e saj nuk janë shumë të pranishëm në jetën publike”, deklaron Zeqiraj.
Ai thotë se, megjithëse Kushtetuta nuk e ndalon që partia fituese të mbajë tri postet kryesore shtetërore, një gjë e tillë nuk do të ishte në frymën e demokracisë.
“Kur shtrohet pyetja se kush nga zyrtarët e LVV-së mund të jetë president, mendoj se kjo parti duhet të mjaftohet me postin e kryeministrit dhe atë të kryetarit të Kuvendit, si rezultat i mandatit që ka fituar. Ndërsa posti i Presidentit do të duhej t’i takonte opozitës. Edhe pse Kushtetuta nuk e kufizon këtë çështje, është logjike dhe e shëndetshme për demokracinë që njëri nga tri postet kryesore të ushtrohet nga opozita”, thekson ai.
Sipas Zeqirajt, kryeministri në detyrë Albin Kurti po e shfrytëzon epërsinë numerike në Kuvend për çështjen e zgjedhjes së presidentit.

Idriz Zeqiraj
“Vetëvendosje, së bashku me Guxo, Alternativën dhe pakicat joserbe, i ka të siguruara 65 vota. Në këto rrethana, opozita nuk ka asnjë mundësi reale të garojë, sepse rezultati është praktikisht i paracaktuar”, shprehet ai.
Duke folur për mundësinë e shmangies së zgjedhjeve të reja, Zeqiraj thotë se deputetët e opozitës mund të detyrohen të marrin pjesë në proces, edhe pa vullnetin e tyre.
“Nëse synohet të shpëtohet vendi nga zgjedhje të reja të njëpasnjëshme, deputetët, edhe pse nuk kanë obligim, mund të qëndrojnë në sallën e Kuvendit për ta bërë të mundur zgjedhjen e presidentit, duke pranuar kandidatin që propozon kryeministri”, deklaron ai.
Megjithatë, nëse presidenti do të zgjidhej nga radhët e Vetëvendosjes, Zeqiraj veçon një emër që, sipas tij, i plotëson kriteret për këtë funksion.
“Nëse presidenti do të vinte nga LVV-ja, mendoj se profesori universitar Mazllum Baraliu do të ishte një kandidat i denjë. Ai ka qenë kuadër i lartë i Gjykatës Kushtetuese dhe është një personalitet i njohur në jetën akademike, juridike dhe politike të Kosovës. Shquhet për interpretimet profesionale të Kushtetutës dhe njihet si një figurë e përmbajtur, e balancuar dhe komunikuese me qytetarët e zyrtarët, pavarësisht bindjeve politike”, përfundon Zeqiraj.
