Prokuroria Themelore në Prizren dhe Policia e Kosovës kanë njoftuar se janë zgjeruar hetimet në rastin që lidhet me dyshimet për keqpërdorime në Byronë Kosovare të Sigurimeve (BKS).
Sipas komunikatës së përbashkët, më 1 shtator 2026 hetimet janë zgjeruar ndaj edhe 21 personave, punëtorë të BKS-së, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Keqpërdorimi i besimit në ndihmë”.
Me zgjerimin e fundit, numri i përgjithshëm i të pandehurve në këtë rast ka arritur në 69 persona.
Prokuroria dyshon se të pandehurit, në kundërshtim me rregullat dhe procedurat e brendshme të BKS-së, kanë mundësuar ose kanë marrë pjesë në bartjen dhe përfitimin e shumave të parave pa mbulesë, në vlera nga 2 mijë deri në 53 mijë euro për person.
Nga këto veprime dyshohet se është shkaktuar një dëm shtesë prej rreth 200 mijë eurosh ndaj BKS-së.
Personat e pandehur janë intervistuar në Stacionin Policor në Prishtinë nga zyrtarët e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, në prani edhe të përfaqësuesve të Prokurorisë Themelore në Prizren.
Në kuadër të hetimit financiar, sot janë sekuestruar dhe ngrirë gjithsej 35 prona, përfshirë parcela kadastrale, njësi banesore dhe njësi garazhuese, të cilat ndërlidhen me tre prej të pandehurve kryesorë.
Po ashtu, Prokuroria në bashkëpunim me Njësitin e Inteligjencës Financiare ka urdhëruar ngrirjen e 21 llogarive bankare të personave të dyshuar.
Në fazën fillestare të hetimit, dëmi i dyshuar ndaj BKS-së ishte vlerësuar në rreth 1 milion e 43 mijë euro, ndërsa me dëmin shtesë prej rreth 200 mijë eurosh, vlera e përgjithshme e dëmit të dyshuar arrin në rreth 1.24 milion euro.
Prokuroria dhe Policia kanë bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit dhe identifikimin e përgjegjësisë eventuale penale të personave të përfshirë.
