Në kuadër të zgjerimit të Arsimit Dual dhe përshtatjes së ofertës arsimore profesionale me kërkesat e tregut të punës, Ministri në detyrë i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku ka nxjerrë vendime për zbatimin e Arsimit Dual të kurrikulës për profilet: Zhvillues i Aplikacioneve Softuerike dhe Teknik i Informatikës së Biznesit, të cilat do të fillojnë të zbatohen këtë vit shkollor.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës me mbështetjen e projektit “Shkathtësi për punësim të qëndrueshëm”, të implementuar nga LuxDev, ka identifikuar dhe standardizuar këto dy profile prioritare.
Përzgjedhja e profileve është mbështetur në gjetjet e hulumtimit “Barometri i TIK-ut në Kosovë”, si dhe në interesimin e nxënësve dhe mësimdhënësve të Institucioneve të Arsimit dhe Aftësimit Profesional (IAAP), që ofrojnë profile të TIK-ut.
Procesi i hartimit të kurrikulave është zhvilluar gjatë vitit 2026 në bashkëpunim me IAAP-të, përfaqësues të sektorit privat dhe shoqatat sektoriale të TIK-ut, përfshirë Shoqatën e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës (STIKK), si dhe ekspertë të fushës. Në këtë proces janë zhvilluar edhe materialet didaktike dhe pedagogjike të nevojshme për zbatimin e këtyre profileve.
Për të siguruar zbatimin sa më cilësor dhe efikas të kurrikulave të reja, MASH do të organizojë trajnime për mësimdhënësit që do t’i zbatojnë këto profile, gjatë periudhës 1–15 shtator 2026.
