Korporata Energjetike e Kosovës gjatë vitit 2025 ka lidhur kontrata të negociuara në vlerë 1.6 milion euro për shkak të mangësive në procedurat e rregullta.
Këto kontrata përfshijnë tri kontrata për Furnizim me Acid Klorhidrik (31-33%), në vlerë totale prej 240,030 euro dhe tri kontrata për Furnizim me Lëndë Djegëse – Mazut, në vlerë totale prej 1,404,465 euro, vihet në pah në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA)
Në raporti thuhet se ky veprim ishte rezultat i pamundësisë për të finalizuar procedurat e hapura të prokurimit nga ankesat e ofertuesve te KEK-u dhe Organi Shqyrtues i Prokurimit.
ZKA ka evidentuar disa mangësi.
Në tenderim “Furnizim me acid klorhidrik (31-33%)”, procedura kishte dështuar për shkak se ndërmarrja sipas vlerësimit të OSHP-së kishte vendosur kriter diskriminues lidhur me standardin EN 939:2016, i cili aplikohet për acid klorhidrik për trajtimin e ujërave të pijshëm dhe nuk duhet të kërkohet për trajtim të ujërave industrialë.
“Megjithatë në një procedurë të negociuar të prokurimit ndërmarrja kishte ftuar për negocim më shumë se një operator ekonomik”, thuhet në raportin e ZKA-së.
Në tenderin “Furnizim me Lëndë Djegëse – Mazut”, ZKA ka identifikuar se prokurimi është karakterizuar me disa ankesa gjatë viteve 2024-2025, kthim në rivlerësim të procedurës disa herë nga OSHP, lidhur me mangësitë që ishin identifikuar në dosjen e tenderit (p. sh. si: parametrat si: vlera kalorifike 9500 kcal/kg, dendësia 0.95 kg/dm³ dhe përmbajtja e hirit max 0.2% janë përcaktuar pa toleranca), qoftë nga OSHP dhe nga komisioni i rivlerësimit.
Në këtë tender KEK me datën 03.12.2025 kishte marrë vendim për anulim të aktivitetit të prokurimit.
“Megjithatë në dy procedura të negociuar të prokurimit ndërmarrja kishte ftuar për negocim më shumë se një operator ekonomik”- thuhet në raport.
“Moslidhja e kontratës përmes procedurave të rregullta dhe shtyrja e vazhdueshme e përmbylljes së aktivitetit të prokurimit për furnizim me acid klorhidrik dhe mazut ka ndikuar që ndërmarrja të lidhë gjashtë kontrata të negociuara pa publikim. Meqenëse aktivitetet përkatëse ende nuk janë finalizuar, ekziston rreziku real për lidhjen e kontratave të tjera të negociuara në vijim”, thuhet në raport.
Po ashtu, ZKA ka rekomanduar që Bordi i Drejtorëve të KEK-ut duhet të sigurohet që të bëhet një analizë e plotë e të gjitha rrethanave që kanë çuar në situatën aktuale dhe të ndërmarr veprime të duhura në mënyrë që dosjet e tenderëve të jenë të përgatitura në harmoni të plotë me kërkesat ligjore.
Menaxhmenti i KEK-ut nuk është pajtuar.
“Lidhur me procedurat e prokurimit të theksuara në gjetjen B4, duhet theksuar që këto procedura kanë filluar në vitin 2024, si dhe në këto dy procedura janë involvuar edhe institucione tjera relevante siç janë OSHP dhe në rastin e procedurës për mazut edhe Gjykata Komerciale. Vlen të theksohet se aktiviteti i prokurimit me titull: Furnizim me Acid Klorhidrik është anuluar me dt. 27.06.2025 ku edhe pas dy kërkesave për rishqyrtim nga dy OE si dhe ankesave në OSHP, vendimi i AK ka mbetur në fuqi”, thuhet në përgjigjen e KEK-u.
Në lidhje me tenderin e tenderit me titull “Furnizim me lëndë djegëse për kaldajë – Mazut”, KEK bëri të ditur se është anuluar me 3.12.2025.
“Po ashtu kemi pasur kërkesë për rishqyrtim dhe ankesë në OSHP nga një OE por vendimi i AK ka mbetur në fuqi”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut, duke shtuar se gjatë vitti 2026 kanë filluar procedurat e reja për të dy lëndët, me Kontrata kornizë trivjeçare dhe ato janë në proces të prokurimit. Njëherësh, thuhet se këto dy lëndë janë bazike për funksionalizimin e prodhimit të energjisë elektrike në termocentrale dhe njëkohësisht mungesa e këtyre lëndëve do të shkaktonte krizë energjetike në vendin tonë.
“Përkundër që KEK ka përdorur procedurën e negociuar (e lejuar sipas LPP), ato janë iniciuar me disa operatorë ekonomikë për të pasur konkurrencë të drejtë duke bashkëpunuar edhe me MINT prej të cilës është marrë lista e të gjithë OE-ve që importojnë mazut në Republikën e Kosovës dhe të njëjtëve i është dërguar ftesa për ofertë”, thuhet në përgjigjen e KEK-ut.
